Kancelarja gjermane Angela Merkel ka lëshuar një mesazh me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit, duke uruar që muslimanët të kalojnë një kohë të qetë, të bekuar dhe të shëndetshme, transmeton Portalb.mk.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert shpërndau në Twitter mesazhin e urimit të kancelares gjermane në gjuhët gjermane, turke dhe arabe.
“Të dashur muslimanë, ju përcjell urimet e mia me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit”, tha Merkel, duke shtuar se Ramazani është muaji i falënderimit, ndihmës për nevojtarët dhe kohë kur muslimanët tubohen.
Ajo po ashtu tha se gjatë iftareve, tubohen edhe pjesëtarë të feve të tjera.
“Kjo është një shprehje dhe pasqyrim shumë i veçantë i bashkësisë dhe përkatësisë sonë shoqërore”, është shprehur kancelarja gjermane.
Megjithatë, ajo tha se për shkak të pandemisë COVID-19, të gjitha këto praktika nuk do të jetë e mundur të realizohen këtë vit.
“Sepse pandemia e koronavirusit na detyron të heqim dorë nga traditat, festat, tubimet dhe ceremonitë fetare të cilat tradicionalisht bëhen së bashku, por uroj që përkundër këtyre periudhave të pazakonta, të arrini mënyrat me të cilat ju sërish do të mund ta jetësoni besimin dhe përkushtimin tuaj”, tha Merkel.
“Ashtu si në pjesën tjetër të botës, edhe muslimanët që jetojnë në vendin tonë po bëhen gati për ta pritur muajin e Ramazanit në kushte që nuk janë mësuar. Për këtë arsye, ju uroj një periudhë të qetë, të bekuar dhe të shëndetshme me familjet tuaja”, shtoi kancelarja gjermane.