Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka shkruar për vdekjen e 40-vjeçares nga Gjakova, e cila ishte në javën e 28 të shtatëzënisë, duke thënë se komplikimet nga Covid-19 ia prenë jetën dhe ëndrrën në mes.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Vitia ka thënë duhet forcë e disiplinë për të shmangur dhembje të tjera.
“Nuk ka fjalë ajo çfarë ndjejmë ne dhe gjithë stafi mjekësor që e asistoi gjatë tërë këtyre ditëve të vështira”, ka shkruar Vitia.
Ai ka bërë thirrje që të zbatohen rregullat.
“Të zbatojmë rregullat, të mbrojmë e shpëtojmë jetë. Duhet të besojmë realisht që kjo fazë është e përkohshme dhe nuk duhet të rrezikojmë një jetë të tërë nga pakujdesitë në këto pak javë”, ka shkruar ai.
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familarëve të shtatzënës nga Gjakova.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka thënë se kjo është një humbje shumë e madhe, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të iu përmbahen masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës
“V.P., nënë e një vajze dhe një djali, ishte në pritje të fëmijës së saj të tretë. Ajo ishte në javën e 28 të shtatzënisë. Por, fatkeqësisht, ajo nuk pati rastin që ta përqafojë foshnjën e saj as edhe njëherë të vetme. Edhe pse shumë prej nesh nuk e njohëm bashkëqytetaren tonë, ky rast sot na pikëlloi tej mase”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, një grua nga Gjakova ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm si pasojë e infektimit me Covid-19.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Gjakovë, Ferdinand Kolaj.
Pacientja gjendej në Klinikën Infektive të QKUK-së qe disa ditë në mjekimin intenziv.
“Sot kemi marrë një informacion se një paciente e jona nga Gjakova ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive të QKUK-së. Ajo sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërruar jetë”, ka thënë Kolaj./Gazeta Expresss