A po ju pëlqejnë masat që propozoi Menduh Thaçi për luftën kundër COVID-19 tash që i aplikoi ngjajshëm qeveria e Kosovës?
Së fundmi në Kosovë, Qeveria aplikoi masa të reja më të ashpra për përballje me Covid-19.
Pak a shumë (për të mos thënë njëjtë), kryetari i PDSH-së para dy javësh propozoi që vetëm një anëtar i familjes të dalë për të kryer shërbimet esenciale të shtëpisë e familjes dhe lëvizja të kufizohet në vetëm një orë në ditë. Për të evituar dendjen, sigurisht që në këtë periudhë të shkurtë kohore jo të gjithë do dalin. Por kjo do të rregullohet në bazë të vendbanimit të tyre ku zona të caktuara kanë orar të caktuar për lëvizje.
Nga 15 prilli, në Kosovë u aplikua thuajse e njëjta me të vetmin dallim se atje orari për qarkullim do të bëhet në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit dhe jo në bazë të vendbanimeve.
Meqenëse kjo u vendos në funksion nga Qeveria e z. Kurti, a po ju duket tash kufizimi i lëvizjes masë e duhur?
Nëse po, dua t’ju kujtoj dhe në ndërkohë uroj ndërgjegjja t’jua rikujtojë që ju e kritikonit Menduh Thaçin, personin i cili e propozoi këtë masë për qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Fatkeqësisht, opinioni i popullit lëviz lartë e poshtë varësisht kush flet për të me ç’rast jo gjithmonë mbështetet e drejta apo e vërteta. Ndoshta bëhem pak ironik për militantë, persona të indoktrinuar, njerëz që udhëhiqen gjithmonë nga instinkti e që asnjëherë nuk i thirrin arsyes se nuk preferojnë të mendojnë vet, se ata “nuk duhet të mendojnë me kokë të vet” por vetëm të udhëhiqen!
Thellësisht besoj që lideri duhet të thotë të vërtetën dhe të mbështesë vetëm të drejtën edhe atëherë kur kjo nuk është konform dëshirës së popullit (që mund edhe të jetë e gabuar) sepse imagjinata e tyre mund të jetë prishëse duke rezultuar fatale për të gjithë shoqërinë. Të paktën ky është një leksion që na e ka mësuar historia. Në këtë drejtim, shumica e liderëve po e fitojnë përkrahjen e publikut duke qenë konformist të tepërt dhe duke i lënë t’i marrë rryma e lumit për një trohë vëmendje e pushtet!
Na duhet më pak piskamë e më shumë fjalë të mira!
Driton Ibishi – zëdhënës i PDSH-së