Osmani: Tetova mund të bëhet vatër e re për Kovid-19


Nëse nuk pengohet përhapja e Kovid-19, Tetova mund të bëhet vatër e re kritike me koronavirus, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani. Pas 400 testeve të zbatuara në Tetovë dhe rrethinë, sipas Osmanit, rreth 54 persona janë pozitiv në koronavirus.

“Do të thotë 20 raste janë në Tetovë, 18 në Bogovinjë, pesë në Tearce, gjashtë në Bërvenicë, nga një në Zhelinë dhe Jegunovc. Ka katër të vdekur dhe dy të shëruar, shumica prej tyre mbi 60 vjeçarë. Ka një rast me foshnjë pesëmuajshe, të tjerët shërohen dhe u bëhen kontrolle plotësuese. Rasti i fundit është në Bogovinjë, me infektimin e mjekut amë, i cili rezultoi pozitiv në Kovid-19. Por, me këtë rast institucionet kanë reaguar urgjentisht dhe i kanë identifikuar të gjithë pacientët që kanë pasur kontakt me atë mjek dhe janë vendosur në vetizolim, respektivisht 156 persona gjatë 14 ditëve të ardhshme do të vëzhgohen”, tha Osmani.

Njëherit në Gostivar nga 161 teste siç informoi Osmani, pozitivë në Kovid-19 rezultuan 12 persona. Të gjithë ata janë në shërim shtëpiak.