A e kaloi Dibra krizën? / Asnjë rast në më shumë se …


Edhe pse në pamje të parë duket se situata me virusin Korona në Dibër ka filluar të stabilizohet, kujdesi dhe masat mbrojtëse duhet të vazhdojnë, thonë nga Shtabi Operativ. Po ashtu numri i të prekurve me virusin Korona është në rënie e sipër, thonë nga Shtabi I Krizës dhe spitali i Dibrës, i cili është pajisur me mjete shtesë dhe me kuadër të ri teknik.

“Prej të hënës kishim 13 teste të marra për ekzaminim, atyre iu shtuan të mërkurën edhe dy testet e tjera gjithsej 15 teste. Këto 15 teste janë marrë nga persona të cilët kanë qenë në mjekim shtëpiak dhe është marrë për test kontroll që të vërtetohet nëse vazhdojnë të jenë pozitivë apo negative. Prej tyre, 8 persona vazhdojnë të mbeten në mjekim shtëpiak, pasi kanë dalë përsëri pozitiv, ndërsa 7 të tjerë janë negativë nga Kovid 19.”,- deklaroi kryetari i Shtabit të Krizës, Hekuran Duka.

“Është java e katërt e luftës me Covid-19, por falë Ministrisë së Shëndetësisë kolegëve nga Shkupi dhe kolegëve dibranë, të cikët në mënyrë të pakursyer kanë punuar gati 14 orë, mund të them se situatën e kemi nën kontroll. Sa u përket të punësuarve në spitalin e Dibrës, kemi të infektuar dy infermiere dhe një vozitës.”,- tha drejtori i spitalit të Dibrës, Baki Halili.

Në kuadër të masave parandaluese vazhdon dezinfektimi i rrugëve, institucioneve publike dhe banesave kolektive, ndërsa dibranët janë në pritje të vendimit të qeverisë për shqyrtimin e masës “regjion i krizës”.