Flet ferizajasi që punon në Bondsteel e që u infektua me COVID-19


Dashnim Reka po mundohet të shohë përtej betejës së tij me koronavirusin. Ai ka dalë me një postim në Facebook të shtunën, duke treguar se është infektuar dhe se po ndihet mirë. Ai thotë se këtë e ka bërë për të mirën e qytetarëve, të mos shqetësohen.

“Mesazhi që desha të jap është se nuk ka vend për panik, është thjeshtë një grip që do e kalojmë të gjithë”, tha Reka.

Dashnimi është nga fshati Nerodime e Epërme, komuna e Ferizajt dhe është punëtor në kampin Bondsteel. Është shofer transporti dhe pos tij, thotë se janë infektuar edhe 9 kolegë të tjerë shqiptarë.

“Të gjithë jemi infektuar nga kolegu që vdiq. Kolegu ynë, fatkeqësisht nuk ia doli, por ai kishte probleme tjera shoqëruese”, tregon Reka.

Ai tashmë është i izoluar dhe thotë se nuk ka asnjë simptomë.

“Sot e mata temperaturën, nuk e kam të rritur”, shton ai.

Rezultatin e testit e ka marrë dje, ndërkohë sot testeve për Covid-19 u janë nënshtruar edhe katër anëtarët e familjes së tij.

“Në Nerodime të Epërme jam i vetmi pozitiv në koronavirus. Shpresoj të mbetët kështu”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme, Reka ka dal me një postim në Facebook, siç e përshkroi ai, frymëzues për qytetarët në këtë kohë paniku.

Mesazhi i tij në Facebook ishte ky: “Të nderuar banorë të fshatit Nerodime, ju njoftoj se dje, unë dhe kolegët e mi që kemi punuar në CBS dhe kemi pasur kontakt me të infektuarin nga fshati Sazli, të gjithë kemi rezultuar pozitivë në testin për Covid-19. Ju kisha lutur që të mos krijoni panik kot, sepse në bazë të përvojës sime është një grip i zakonshëm, por që mund të jetë i rrezikshëm për ata që mund të kenë pasur probleme të mëhershme shëndetësore. Prandaj edhe një herë: Mos bëj panik, bëj kujdes, respekto rregullat e IKSHPK-së. Për momentin gjendja ime shëndetësore është shumë e mirë. Faleminderit për interesimin tuaj”.

Në Kosovë deri më tash janë infektuar 250 persona me koronavirus, shtatë prej tyre kanë vdekur, ndërkohë janë shëruar 52 vetë.

Në gjendje kritike janë dy persona, kurse katër të tjerë po marrin oksigjeno-terapi./Koha.net/