Koronavirusi në 17 qytete, 483 të prekur, shteti në pritje të pikut


Janë diagnostifikuar 53 raste me koronavirus, që është numri më i madh deri më tani pas regjistrimit të rastit të parë në shtet, më 26 shkurt, përcjell GazetaExpress.

Deri më tani 17 persona e kanë humbur jetën nga komplikimet e koronavirusit, ndërsa 20 janë shëruar. Numri i të prekurve si dhe i të vdekurve çdo ditë po rritet. Të prekurit janë prej 17 qyteteve dhe gjithsej janë 483, ndërsa më së shumti janë nga Shkupi (221), Kumanova (93) dhe nga Dibra (49).

Koronavirusi nuk zgjedh të moshuar, të rinj apo fëmijë, të shëndetshëm apo me sëmundje paraprake. Një numër i madh i personave janë në izolim dhe vetizolim. Në mesin e të infektuarve ka edhe punonjës shëndetësorë në më shumë qytete, numri i të cilëve çdo ditë po rritet, qëndërsa më së shumti janë nga Kumanova. Janë mbyllur disa reparte infektive në shtet për shkak të punonjësve shëndetësorë të shëndetit.

Në Klinikën Universitare për sëmundje infektuese janë hospitalizuar 61 pacientë, prej të cilëve 11 janë në ventilim mekanik. Deri më tani në vend janë bërë 4.920 testime të Kovid-19.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe kumtoi se piku i koronavirusit pritet në fund të muajit, me vlerësimin që numri i të prekurve të arrijë deri në 2.000 persona. Sipas tij, koronavirusi me siguri do të përfundojë me një formë të imunitetit kolektiv, për momentin janë duke u grumbulluar më shumë të dhëna, është duke u punuar për vaksinën ndërsa deri atëherë do të jetë i pranishëm.

“Do të paraqiten valë pacientësh, por me rëndësi është rritja e rasteve të reja të kontrollohet, që të mundet sistemi shëndetësor në mënyrë të përshtatshme të kujdeset për të gjithë pacientët”, thotë Filipçe dhe bën thirrje që qytetarët duhet të kujdesen edhe për shëndetin mental të tyre gjatë krizës me Kovid-19.

Duke i ndjekur përvojat botërore në mjekimin e të prekurve, në Klinikën për Sëmundje Infektive para ca kohësh filloi të zbatohet terapia e re, e cila është kombinimi të cilin e përmban ilaçi hidroklor dhe azitromicina. Terapia u jepet një pjese të pacientëve të cilët nuk kanë as probleme më të vogla kardiologjike gjatë kontrollit të bërë për shkak të kundërindikacioneve të mundshme prej tij.

Në ndërkohë, në disa vende filloi të zbatohet trajtimi me plazmën e gjakut nga pacientët tashmë të mjekuar me Kovid-19, që është dëshmuar si trajtim i suksesshëm. Siç informoi ministri Filipçe, nga Instituti për Transfuziologji mund të përgatitet sistemi që të veçohet plazma e gjakut prej 20 pacientëve të shëruar dhe t’u jepet të infektuarve me koronavirus.

Ky protokoll, siç paralajmëroi ministri, do të përgatitet të hënën dhe do të diskutohet në kolegjiumin profesional në Institut, më pas në kuadër të grupit të ekspertëve në Komisionin për sëmundje infektuese dhe në pajtim me rezultatet të cilat janë publikuar do t’u jepet pacientëve tanë.

Në ndërkohë, qytetarët edhe më tej duhet t’i respektojnë masat dhe rekomandimet për mbrojtje, sipas të cilave, duhet të qëndrojnë në shtëpi, të mos grupohen, të dalin vetëm nëse kanë ndonjë urgjencë, ta kufizojnë lëvizjen, të mos kontaktojnë shumë me njerëzit, të mos qëndrojnë gjatë në markete, të ruajnë distancë aty ku ka më shumë njerëz, të mbajnë higjienë personale, shpesh t’i lajnë duar 20-30 sekonda, të përdorin mjete për dezinfektim apo shami alkoolike, gjatë kollitjes apo teshtimës ta mbulojnë hundën dhe gojën me shami për përdorim të njëfishtë dhe më pas menjëherë ta hedhin në vend të sigurt, ndërsa nëse nuk kanë shami, t’i mbulojnë hundën dhe gojën me bërryl.

Qytetarët të cilët kanë simptoma tipike për koronavirusin, si temperaturë, ethe, kollë, frymëmarrje të vështirësuar, duhet të paraqiten përmes telefonit tek mjeku i tyre amë i cili përmes anketës epidemiologjike do të përcaktojë nëse duhet të testohen. Nëse duhet, përmes sistemit “Termini Im” ata do t’u caktojnë kohën dhe vendin e testimit./Express