Ambasada e SHBA-s në Kosovë vlerësoi sot se vendimi i Qeverisë së Albin Kurtit, për të zëvendësuar tarifën 100 për qind me reciprocitet kundrejt Serbisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, është i dëmshëm për vetë qytetarët dhe për ekonominë e Kosovës.
Në kumtesën e sotshme të përfaqësisë diplomatike amerikane në Prishtinë, theksohet se SHBA-ja qartë ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës duhet plotësisht dhe pakushtimisht të tërheq tarifën, të cilën e vendosi ish kryeministri Ramush Haradinaj në nëntor të vitit 2018.
“SHBA ishte e qartë se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika lëndojnë qytetarët e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës”, shkruan në kumtesën e Ambasadës.
Më tutje, theksohet se Uashingtoni edhe më tej është kundër zbatimit të reciprocitetit nga ana e Prishtinës në marrëdhëniet me Beogradin, pasi kjo paraqet pengesë për rifillimin e dialogut në mes dy palëve.
“Ato masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-ja beson se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore dhe për autostradë, të arritura mes dy palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, porositi Ambasada amerikane.
Sipas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës, nga mesnata u hoq tarifa për importet nga Serbia dhe njëkohësisht, siç deklaroi kryeministri Kurti, filloi zbatimi i masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Masat e reciprocitetit, në fakt të marrëdhënieve të ndërsjella, janë institut i marrëdhënieve mes shteteve sovrane, që janë të pranuara sipas parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, deklaroi kryeministri Kurti, duke përmendur dokumente ndërkombëtare dhe parime që këtë e rregullojnë.
Vendimi është në fuqi deri më 15 qershor, kur do të shqyrtohen efektet e vendosjes së reciprocitetit.