U shërua nga virusi korona djali i deputetes shqiptare: Biri im e mposhti armikun e padukshëm


Deputetja socialiste për qarkun e Fierit ka dhënë pasditen e sotme lajmin e mirë se e biri e fitoi betejën me COVID 19 dhe është shëruar.
Në një postim në facebook ajo falënderon të gjithë bluzat e bardha për punën e palodhur.

Ajo thotë se bashkë me djalin do të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të njëjtën gjë i fton të bëjnë edhe qytetarët deri në largimin e këtij armiku të padukshëm.

Dhima: E lumtur dhe e gëzuar që biri im e mposhti armikun e padukshëm, atë armik me të cilin shumë të tjerë po vijojnë betejën.

Falenderimet shkojnë për të gjitha bluzat e bardha, mjekët, infermierët, epidemiologët, imazheristët, laborantët dhe stafet mbështetëse, në Fier, Tiranë e kudo. Jeni ju që luftoni në frontin e parë të kësaj lufte globale, një lufte që me këmbëngulje e forcë ne do ta fitojmë.

Edhe pse nuk zgjodha të jepja lajmin për nisjen e kësaj lufte, jam e ngazëllyer që tani i uroj tim biri shëndet dhe jetë, dhe po i njejti urim shkon për të gjithë Ju, që vazhdoni të kuroheni nga ky virus, që nuk zgjedh, duke na kujtuar se të gjithë jemi të barabartë.

Faleminderit të gjithëve për sakrificën e pamasë që bëni në këtë periudhë të vështirë.
Qofshi të bekur të gjithë Ju që mjeksinë nuk e keni thjesht një profesion, por një mision që ju vendos përditë përballë sfidave, edhe të panjohura.
Faleminderit edhe të gjithëve Ju miq dhe mikesha që në këto ditë të vështira më qëndruat pranë me mesazhet e telefonatat Tuaja, duke treguar se miqtë më të mirë, janë ata që nuk të harrojnë në ditë të vështira.

Ne vazhdojmë të qëndrojmë në shtëpi, bëjeni dhe Ju.
Dhe kujtoni, që vetëm bashkë do t’ja dalim.