Flet Kurti pas hyrjes së 16 kamionëve të parë nga Serbia: Po vihet …


Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ka folur pas futjes së kamionëve të parë në vend me mallra serbe, duke thënë se ai po kërkon reciprociteter sepse kështu do të ketë barazi.

Kurti, ka thënë se ky vendim i qeverisë në detyrë vjen me zbatimin gradual të reciprocitetit, parim ky universal dhe i të drejtës ndërkombëtare, si dhe për largimin e tarifës 100% ndaj Bosnje-Hercegovinës.

“Sot në ora 00:00 hyri në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e tarifës 100% ndaj importit të mallrave të Serbisë me zbatimin gradual të reciprocitetit, parim ky universal dhe i të drejtës ndërkombëtare, si dhe për largimin e tarifës 100% ndaj Bosnje-Hercegovinës.”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ky bështë reagimi i plotë:

Reciprocitet, sepse barazi.

Sot në ora 00:00 hyri në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e tarifës 100% ndaj importit të mallrave të Serbisë me zbatimin gradual të reciprocitetit, parim ky universal dhe i të drejtës ndërkombëtare, si dhe për largimin e tarifës 100% ndaj Bosnje-Hercegovinës.

Republika e Kosovës ka pasur e ka ende nevojë që qytetarët e saj, ndërmarrësit, profesionistët, punëtorët të trajtohen barabarësisht, pa paragjykime, pa pengesa, pra me dinjitetin e domosdoshëm, kur zhvillojnë aktivitetet jetësore e profesionale. Nuk ka pra, asnjë arsye legjitime e legale që të pranohet se shtetasit e Republikës së Kosovës dhe autoritetet tona mund të diskriminohen e pengohen kur ata eventualisht kanë nevojë të ndërveprojnë me autoritetit e Serbisë në kuptimin tregtar, civil apo të ndonjë sfere tjetër ndërshtetërore.

Qytetarët e Republikës së Kosovës çdo herë kanë shprehur vullnetin që të trajtohen e trajtojnë barabarësisht nga e me qytetarët e shteteve në rajon. Reciprociteti, si parim e veprim, zgjeron mundësitë e respektimit të ndërsjellë shtetëror e të të drejtave. Nuk ka asnjë zhvillim të qenësishëm të rajonit tonë nëse lejohen përpjekjet që e pozicionojnë si të pabarabartë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Ndaj vendimi ynë afirmon raportet e barabarta ndërshtetërore, respektimin e drejtave universale dhe krijon klimën e drejtësisë në mes shoqërive.
Po ashtu, Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT) e vitit 1947, e ndryshuar më 1994, që është dhe instrumenti themelues i Organizatës Botërore të Tregtisë, njeh parimet themelore të reciprocitetit, mosdiskriminimit e shtetit më të favorizuar. Këto parime vlejnë për të siguruar trajtim të barabartë të palëve në politikat tregtare duke eliminuar barrierat.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA) e vitit 2007, ndër të tjera, ka për qëllim eliminimin e barrierave tregtare dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave në transit, lëvizjen ndërkufitare të mallrave e shërbimeve në territoret e vendeve e midis tyre.

Që nga hyrja në fuqi e CEFTA-s, Serbia ka aplikuar një sërë barrierash tregtare jotarifore ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë të tillat në tranzit, ato teknike dhe barrierat politike. Kështu Serbia ka dëmtuar eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës duke rezultuar me një deficit të lartë tregtar për vendin tonë.

Masat që Serbia i ka aplikuar në vazhdimësi në formën e barrierave jotarifore:
(a) Masa për dokumente dhe praktika që prekin çështjet tregtare, siç janë: (1) kërkesat për certifikata të origjinës dhe dokumentacionit veterinar e fitosanitar për mallrat e eksportuesve dhe importuesve të Kosovës, që e shfrytëzojnë Serbinë vetëm si vend tranzit; (2) vonesat në zbatimin e kërkesave për vlerësimin e cilësisë për eksportet e Kosovës; (3) mosrespektimi i marrëveshjes dypalëshe për etiketim të produkteve midis Kosovës dhe Serbisë, nën patronatin e BE-së; (4) mosnjohja e automjeteve të regjistruara në Kosovë, përfshirë automjetet komerciale, etj.

(b) Masa në pengimin e lëvizjes së lirë të personave dhe mosnjohjen e kualifikimeve profesionale, konkretisht mosnjohja e dokumenteve: (1) pasaportat; (2) letërnjoftimet; (3) patentë-shoferët; (4) diplomat; (5) certifikatat; etj.

Implementimi i masave të reciprocitetit nga autoritetet e Republikës së Kosovës do të jenë graduale dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë.

Parimi i respektit të ndërsjellë duhet të mbizotërojë, në mënyrë që mos të ketë barriera midis dy shteteve. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vullnetin për të zhvilluar e kultivuar marrëdhënie tregtare, me të gjitha shtetet në rajon, pa pengesa të padrejta, mbi bazën e parimeve të pranuara ndërkombëtarisht, në respekt të traktateve ndërkombëtare dhe në respekt të të drejtave themelore të qytetarëve