Ligji i gjuhëve, Xhaferi: Unë nuk e njoh nocionin frikë

I pyetur nga gazetarët, se a keni frikë nga diçka pasi që se dorëzoni në Gazetën Zyrtare ligjin e gjuhëve, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi deklaroi se nuk e njeh nocionin frikë, por se mosdorëzimi i ligjit të gjuhëve është çështje e koalicionit qeveritar, e jo e atij si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, raporton Portalb.mk.

“Unë nuk e njoh nocionin frikë. Puna e ligjit nuk është çështje individuale e imja dhe nuk mund të mbaj unë përgjegjësi. Përgjegjësia është e të gjithëve. Mendoj se koalicioni qeveritar duhet të jetë përgjegjës për këtë. Unë e kam kryer obligimin tim, kam nënshkruar ligjin që në momentin kur i njëjti është votuar”, ka thënë Xhaferi.

Megjithëse ndër reshta kryeparlamentari Xhaferi thotë se çështja e mosdorëzimit të ligjit të gjuhëve në Gazetën Zyrtare është çështje e marrëveshjes politike, ai tha se “votimi i guvernatorit të Maqedonisë nuk ka qenë marrëveshje për ligjin e gjuhëve”.

Përndryshe, ligji për përdorimin e gjuhëve, me 64 vota “për”, në atmosferë të tensionuar për së dyti herë u miratua në Kuvendin e Maqedonisë. Megjithatë, kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov edhe pas më shumë se dy muaj, të njëjtin ende nuk e ka dekretuar, edhe pse nuk ka të drejtë kushtetuese.

Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më 5 shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.