Koronavirusi/ Europa në karantinë, Suedia pa rregulla dhe kufizime


Teksa shumica e qytetarëve në Europë jetojnë në kushte izolimi për shkak të kërcënimit të koronavirusi, Suedia deri më tani nuk e ka kufizuar jetën e qyetarëve të saj.

Të rinj e të moshuar duken të pashqetësuar teksa shijojnë rrezet e diellit apo shëtisin nëpër rrugë. Edhe klubet e natës kanë qenë të hapur në fundjavë, edhe pse grumbullimet me mbi 50 veta janë të ndaluara që prej së dielës.

Në Suedi janë 3500 të prekur nga koronaviursi dhe 105 viktima. Rregulla strikte nuk ka, por vetëm udhëzime që të sëmurët e të moshuarit të qëndrojnë në shtëpi, të lahen duart dhe të shmangen udhëtimet e panevojshme.

“Jemi të rritur dhe duhet të sillemi si tillë. Nuk duhet të përhapim panik dhe as zhurmë, por secili nga ne ka një përgjegjësi të madhe”, tha Kryeministri Stefan Lofven, ne një fjalim që u mbështet nga shumica e qytetarëve.

Ndërgjegjësim ka dhe rrugët janë më të qeta se normalisht. Kompania që menaxhon transportin publik thotë se numri i pasagjerëve ka rënë me 50% e gati gjysma po punojnë nga shtëpia.

Suedezët e duan natyrën dhe autoritetet mendojnë se do të ishte e dëmshme për shëndetin mendor t’i detyrosh të qëndrojnë mbyllur. E megjithatë, koha do ta tregojë nëse qasja unike e Suedisë do të jetë më frytdhënësja në fund.