Kim Mehmeti: Shqiptarët s’kanë nevojë për burrështetas hajdut proamerikanë


Kim Mhemeti

Nuk dua që populli im të fillojë të besoj se s’ke si shpëton nga burrështetasit hajdut e të papërgjegjshëm, kur ata janë proamerikanë. Apo se mjafton të jesh kotele e butë në prehrin e ndonjë ambasadori amerikanë, që të mund të sillesh si ‘gjarpër’ helmues ndaj popullit tënd.

Do të ndjehesha i turpëruar nëse cilido diplomat amerikanë do fillonte të mendojë se ne jemi proamerikanë vetëm kur kemi nevojë për mbrojtjen dhe ndihmën e SHBA-ve. Jo, proamerikanizmi jonë është shumë më i thellë se ai i ‘pleqve me bastun’ të cilët popullit ia morën nga duart flamurin e SHBA-së, që me të ta mbulojnë destruktivitetin e vet.
Rrëzimi çmendurak i qeverisë së Kosovës është akti më antimarekanë që kurdo qoftë ka ndodhur në shoqëritë shqiptare. Është akt i tillë sepse ngadhënjyen edhe ata që dekada me radhë e plaçkitën dhe e gënjyen popullin e vet, edhe atë duke u mbuluar herë me atë që kinse u ka thënë Uashingtoni, e herë me atë që gjoja u ka premtuar Brukseli.

Rrëzimi absurd i qeverisë së Kosovës ka dimensionin e mposhtjes së shpresës se shqiptarët kanë forcë që ta luftojnë destruktivitetin e burrështetasve që politikën e konsiderojnë si biznes më fitimprurës. Dhe rrëzimi i Qeverisë së Kosovës do mund gabimisht të kuptohet nga populli se qarqe të administratës amerikane u japin krahë edhe hajdutëve tanë politik.

Dhe tani, kur ata që e rrëzuan qeverinë e Kosovës, triumfalisht na bindin se ia kanë dalë ta mbrojnë proamerikanizmin tonë të ‘rrezikuar’ nga drejtuesit e VV dhe se, pas tyre qëndron administrata amerikanë, duhet thënë hapur: shqiptarët nuk kanë nevojë për burrështetas hajdut proamerikanë, po për politikanë proshqiptarë, të popullit properëndimorë!