Pandemia në Kumanovë: Shpëtimi i vetëm, karantina

Ndalimqarkullimi për transportin publik ndërurban, reduktimi dhe mbyllja e fabrikave dhe shitoreve, grupe shtesë mjekësore, si dhe testim të një numri më të madh të qytetarëve , këto janë masat që do të fillojnë që të implementohen nga sot në territorin e komunës së Kumanovës, si pjesë e përforcimit të masave që i ka sjellur qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit korona

Gjithashtu me masat e reja, Qeveria parasheh që fabrikat me numër të madh të punëtorëve apo ato të cilat kanë kapacitet të madh shitës, të reduktojnë numrin e punëtorëve apo edhe plotësisht të mbyllen.

Ministria e Shëndetësisë si dhe Instituti i Shëndetit Publik, kanë angazhuar ekipe të veçanta për realizimin e testimit të sa më shumë njerëzve, me qëllim përcjelljes së vazhdueshme të numrit të infektuarve, si dhe të sigurojnë ndihmë teknike për nevojat e spitalit të Kumanovës.

Për shkak se nga ky rajon vjen edhe viktima e parë nga virusi korona, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, janë të detyruare të marrin masa më intensive. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, mbrëmë ka deklaruar se me këto masa parashihet që të ndërpriten linjat urbane dh ndërurbane të transportit publik me të gjitha komunat tjera, me qëllim që të kemi një formë të karantinës për qytetin e Kumanovës, ngjashëm sikur është vepruar në Dibër.

Në këtë kohë të krizës shëndetësore nuk ka munguar edhe kontributi i ndërmarrjeve të caktuar. Me këtë rast drejtori i Odës së Artizanateve, Agron Fazliu dhe ndërmarrja TI-DI Fashion, nga Kumanova kanë dhuruar 500 maska mbrojtëse për anëtarët e Stacionit Policor në Kumanovë dhe për të gjithë profesionistët e tjerë që merren me përballjen me virusin korona.

Ndërkohë janë duke u përgatitur edhe një sasi tjetër e maskave për Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë, ambulancën në Komunën e Likovës dhe Stacionin policor në Mateç. Deri më tash numri i të infektuarve në Kumanovë ka arritur në 8 persona, përfshi edhe dy mjek dhe një motër medicinale. Në repartin e Infektologjisë para tre ditëve vdiq një paciente e moshës 57 vjeçare si shkak i virusit korona, ndërkaq djali i tij pas testimit ka dalur pozitiv. Numri total i të diagnostifikuarve me COVID-19 deri dje ora 12 në nivel shtetëror ka qenë 148, prej të cilëve një i shëruar dhe 2 viktima. (koha)