Dhunë dhe masakër mizore ndaj banorëve të Kotlinës

Eksplozivi dhe minat në bunarin me 22 kufoma ishte akti i fundit nga forcat serbe pas dhunës dhe masakrës së ushtruar mbi viktimat e fshatit Kotlinë në Komunën e Kaçanikut.

Ridvan Zharku*

Kotlina, një fshat larg qytetit, me kushte shumë të vështira për jetesë, ishte një vend i izoluar nga vetë natyra. Duke qenë i rrethuar nga kodrat, nuk ishte fare vështirë, por mjaft lehtë që banorët e këtij fshati të sulmoheshin nga pushtuesit serbë gjatë vitit 1999.

Dy bunarë ishin hapur nga një bashkëfshatar i tyre për të nxjerrë ujë për përdorim. Po ata bunarë ishin destinacioni i fundit i viktimave. Serbëve nuk iu duk mjaft që i dhunuan, keqtrajtuan e masakruan 22 banorë të këtij fshati, por po këta persona i hodhën në puse për t’i minuar më pastaj, ku në njërin pus ishin vendosur 16 kufoma, ndërsa në tjetrin 6 për t’i zhdukur gjurmët dhe faktet e këtij krimi të kryer më 24 mars 1999.

9 marsi i po atij viti e shënoi ditën e parë të sulmit nga pushtuesit në këtë fshat. Nga ky sulm i forcave serbe ranë dy dëshmorë: Milaim Loku dhe Emërllah Kuqi. Trupat e tyre të pajetë u gjetën pas nëntë ditësh.

Banorët e fshatit nuk u frikësuan nga ky sulm, por vazhduan të qëndronin pranë shtëpive të tyre dhe ta mbronin vendin e tyre. Ushtria serbe shumë shpejt u informua se kotlinasët nuk ishin shpërngulur nëpër vende të tjera, si Shqipëri apo Maqedoni, sikurse që kërkonin dhe dëshironin ata. Sipas forcave ushtarake e policore serbe, kjo ishte arsyeja që fshati të sulmohej edhe një herë nga kjo ushtri barbare e mizore në ditën e 24 marsit. Në fillim tw sulmit ndaj banorëve u plagos plaku 76-vjeçar, Zymer Loku, i cili atë mbrëmje vdiq.

Dita e 24 marsit ishte ditë e errët dhe fatkeqe edhe për tri fiset Kuqi, Loku dhe Vlashi të këtij fshati. Ushtria dhe policia barbare serbe i zunë pengë dhe i tubuan banorët e këtij fshati, duke i ndarë në grupe gratë me fëmijët në njërin grup, ndërsa në grupin tjetër djemtë dhe burrat. 35 burra i morën dhe i rrahën e i shqelmuan në të gjitha pjesët e trupit në sy të pjesëtarëve të familjes. Pas një kohe relativisht të shkurtër, pasi duket që ishin ngopur me rrahje, këtë grumbull burrash e larguan nga fshati në drejtim të pyllit.

Ndaj 22 personave të tjerë, kryesisht të rinj, kryen akte nga më mizoret, duke i futur edhe në bunarë, ku në orën 18:00 bëhet minimi i tyre. Nuk mjaftoi ngopja nga krimi me 22 persona, por në mesin e burrave i tërheqin dy burra: Vesel Vlashin dhe Idriz Kuqin. Veselin, përpos që e vranë në dhomë të shtëpisë së vet, e djegin dhe shtëpinë bashkë me trupin e karbonizuar. Gratë dhe fëmijët i transferuan në qytet, ndërsa pjesën tjetër të burrave i dërguan në burg të Ferizajt, prapë për të ushtruar forcë ndaj tyre për katër ditë rresht, duke i përzënë më pastaj për në Maqedoni.

Qysh në shtator të vitit 1999, shumë kërkesa i janë dërguar Administratës së UNMIK-ut për hapjen e varrezave masive nga bashkëfshatarët, por ata i kanë neglizhuar ato. Më në fund, në ndihmë iu kishte ardhur një organizatë norvegjeze, e quajtur “Aksioni i Kishave të Bashkuara” (AKB). Gjatë tërë procesit të hapjes së varrezave masive kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të Tribunalit të Hagës.

Ndonëse Kotlinasët i dhanë shumë lirisë së Kosovës, 60 familje sa jetojnë në këtë lokalitet, ndër më të shkëputurit në Komunën e Kaçanikut, ballafaqohen me varfëri dhe mungesë të perspektivës. Këtu, papunësia vazhdon të mbetet sfidë e madhe për jetë.

Nuk është lehtë që çdo ditë të zgjohesh në mëngjes e t’i shohësh vendin dhe lapidarin e ngritur të pjesëtarëve të mbytur në atë masakër, por është po ai vend që, sado që sjell vuajtje, sjell edhe forcë për të jetuar.

Gjatë këtyre sulmeve ranë 14 dëshmorë të UÇK-së dhe 15 burra të tjerë të këtij rrethi.

*Ridvan Zharku është student i Departamentit të Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.