Virusi që tashmë është përhapur në gjithë botën është COVID-19.
E duke u bazuar në përhapjen globale të këtij virusi, më 12 mars të këtij viti Organizata Botërore e Shëndetit e shpalli këtë sëmundje si pandemi.
Mirëpo, kjo nuk është pandemia e vetme me të cilën është përballur njerëzimi ndër vite.
Kolera, vdekja e zezë, variola dhe gripi janë disa nga viruset më të rrezikshme në historinë e njerëzimit.
Këto pandemi përgjatë historisë kanë vrarë 500 milionë njerëz për 12 mijë vjet.
Nga viti 1346 deri në vitin 1353 një shpërthim i murtajës, që njihet si vdekja e zezë, shkatërroi Evropën, Afrikën dhe Azinë, duke shkaktuar vdekjen e 200 milionë njerëzve.
Kjo pandemi origjinën e saj e kishte në Azi, e që u përhap edhe në kontinentet e tjera përmes pleshtave që jetonin te minjtë.
Kolera, pandemia e cila origjinën e saj e ka në Indi shkaktoi vdekjen e mbi 800,000 njerëzve, para se të përhapej në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Evropën Lindore dhe Rusinë. E, këtë pandemi SHBA-të e kaluan me vetëm 11 vdekje.
Pandemia e gripit të vitit 1918-1920 u përhap në gjithë globin duke infektuar mbi një të tretën e popullsisë së botës dhe duke i dhënë fund jetës së 50 milionë njerëzve.
Nga 500 milionë njerëz të infektuar në pandeminë e vitit 1918, shkalla e vdekshmërisë u vlerësua në 10-20%, me vdekje deri në 25 milionë vetëm në 25 javët e para.
Po ashtu, shumë të vdekur la edhe sëmundja e quajtur varicela, apo siç njihet në gjuhën popullore si “Lija e ujit”.
Kjo sëmundje ishte e përhapur rreth 10 mijë vjet para Krishtit dhe la të vdekur 500 milionë njerëz.
Ndërsa, në vitin 1976, në Republikën Demokratike të Kongos për herë të parë u shfaq HIV/AIDS, apo siç njihet me emrin SIDA, raporton T7. Kjo sëmundje po ashtu u cilësua si pandemi globale, duke lënë të vdekur më shumë se 36 milionë njerëz që nga viti 1981.
Ndërkohë, murtaja e Justinianit që preki Perandorinë Bizantine, padyshim që la gjurmën e saj në botë, duke lënë të vdekur një të katërtën e popullsisë së Mesdheut Lindor dhe ishte shkatërruese e qytetit të Kostandinopojës, ku në kulmin e saj po vriste 5000 njerëz në ditë dhe përfundimisht duke rezultuar në vdekjen e 40% të popullsisë së qytetit.
E murtajë tjetër pandemike ishte edhe ajo e Antoninit. Kjo pandemi e lashtë preku Azinë e Vogël, Egjiptin, Greqinë dhe Italinë, mirëpo nuk dihet ende shkaktari kryesor i saj. Nga murtaja e Antoninit vdiqën mbi 5 milionë njerëz dhe shkatërroi ushtrinë romake.
Ndërkohë, bota aktualisht po përballet me pandeminë Covid-19, virus ky që është përhapur fillimisht në Wuhan të Kinës, duke prekur më pas më shumë se 150 vende të botës.
E, kjo pandemi e rrezikshme deri tash ka marrë jetën e më shumë se 9277 njerëzve në mbarë botën.
Ndërsa, për herë të parë që nga fillimi i shpërthimit të këtij virusi, Kina nuk ka regjistruar asnjë rast të ri.
Aktualisht, Evropa është epiqendra e pandemisë Covid-19.
Pjesë e vendeve të prekura me këtë virus së fundmi u bë edhe Kosova me gjithsej 33 raste të prekura dhe me një të vdekur.
Numri i te prekurve me këtë virus po shkon duke u rritur dita ditës, ndërsa Italia për momentin mbetet vendi me më së shumti të vdekur.