Ballina Pa Censurë BESA i del në mbrojtje arsimtarit që u suspendua pasi rrahu nxënësin

BESA i del në mbrojtje arsimtarit që u suspendua pasi rrahu nxënësin

Meqë para disa ditëve në SHF “Zhivko Brajkovski” në Butel të Shkupit ndodhi një incident si pasojë e masave disiplinore ndaj një nxënësi nga arsimtari Naser Curri – ish kandidat i Lëvizjes BESA për Komunën e Butelit, kjo pasoi me suspendimin nga puna të arsimtarit në fjalë, reagon dega e Besës në Butel.

 

“Duke gjykuar se bëhet fjalë për një montim, qasje selektive dhe hakmarrëse nga drejtoria e shkollës, që ka përfituar nga ky incident për t’u hakmarrë ndaj bindjeve politike të Arsimtarit, Lëvizja BESA ngre zërin kundër abuzimit më detyrën zyrtare të drejtuesve të shkollës dhe njëherazi ua kujton atyre se Naser Curri jo vetëm që njihet botërisht ndër arsimtarët më të suksesshëm dhe njëherazi artist, por ai është edhe një veprimtar i paepur dhe i pakompromistë në mbrojtjen e arsimit shqip.

Nisur nga kjo Lëvizja BESA do të vazhdojë ta mbështesë arsimin shqip dhe arsimtarin shqiptar, ndërsa drejtuesit e këtillë të shkollës do ta marrin së shpejti përgjigjen juridike për shkak të këtyre vendimeve skandaloze politike. Ne kërkojmë që raste të tilla të mos ndodhin më nëpër shkollat tona dhe aty të respektohet mundi dhe përpjekja e arsimtarëve të përkushtuar me devocion në punën e tyre”, reagon Besa.