Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar në lidhje me viktimën e parë nga koronavirusi në Kosovë, për të cilin thotë se është rezultat i keqmenaxhimit.
Madje ai Qeverisë Kurti iu ka referuar si “Qeveri në ikje”, për të cilën thotë se po e vë në rrezik popullin duke e refuzuar gjendjen e jashtëzakonshme.
“Sot me pikëllim mora lajmin për viktimën e parë të COVID-19! Kosova sot pësoi nga pandemia por edhe nga keq menaxhimi. Përderisa shtetet përgjegjëse marrin masa emergjente dhe trajtojnë problemin me seriozitet, Qeveria në ikje zgjedh ta vënë në rrezik popullin duke refuzuar qasjen e jashtëzakonshme të këtij problemi. Lutjet e mia shkojnë për qytetarin që humbëm sot dhe familjen e tij. Përkrahja ime shkon për mjekët dhe personelin mjekësor që punojnë pa ndalë. Ju lus të gjithëve të jemi të mobilizuar ndaj kësaj pandemie. T’i dëgjojmë këshillat e ekspertëve mjekësorë dhe t’i përcjellim rekomandimet në përpikëri”, ka shkruar Haradinaj.
Kujtojmë se sot është shënuar viktima e parë e koronavirusit në Kosovë, lajmin për vdekjen e të cilit e ka konfirmuar Instituti i Shëndetësisë Publike. Ndërkaq, numri i të infektuarve që nga 13 marsi deri më sot në vendin tonë ka shkuar në 31.