Pas informacioneve zyrtare se në Itali gjatë ditës së sotme si pasojë e virusit korona jetën kanë humbur 793 persona, presidenti Stevo Pendarovski ka shprehur ngushëllime përmes rrjeteve sociale duke shtuar se është i tmerruar nga fotografitë e spitaleve italiane.
“Ngushëllime për Italinë dhe të gjithë banorët e saj, përfshirë bashkëqytetarët tanë. Dëgjojmë lajme të trishtuara nga Italia për çdo ditë. Numri i viktimave nga Covid-19 shkon në qindra. Fotografitë nga spitalet janë të frikshme, dhe tendencat janë të pafavorshme. Po dëgjojmë lajme shqetësuese nga shumë vende të tjera, në rajonin tonë dhe më gjerë”, ka shkruar Pendaorvski.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që të respektojnë rekomandimet e Qeverisë sonë pasi kjo është një betejë e përbashkët.
“Edhe pse kemi numrër të vogël në vendin tonë, ne duhet të jemi të kujdesshëm. Të respektojmë rekomandimet, të jemi përgjegjës për shëndetin publik dhe të jemi solidarë, aq sa mundemi, të ndihmojmë. Kufizoni lëvizjen tuaj dhe largohuni nga shtëpia vetëm për qëllime të rëndësishme. Kjo është një betejë e përbashkët, jo vetëm e jona dhe jo vetëm këtu. Mbroni veten dhe të gjithë rreth jush”, shkruan Pendarovski.