Mustafa ultimatum Kurtit: Deri në fund të javës të anulohet vendimi për Veliun dhe të hiqet taksa


Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar rreth shkarkimit të Ministrit Veliu nga kryeministri Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa e ka quajtur të papranueshëm shkarkimin nga posti të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.

Për Mustafën, kjo është shkelje e marrëveshjes së koalicionit.

“Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së”, shkruan ai.

Mustafa ka bërë të ditur se kryeministri Kurti nuk e ka konsultuar.

“Kërkoj nga Kryeministri ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës”, shkruan Mustafa.

Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit.