Teatri dhe biblioteka e Tetovës: Faza e dytë e ndërtimit, pas zgjedhjeve


Është përmbyllur faza e parë e ndërtimit të objektit të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovës. Faza e parë përfshinë karabina e mbyllur që do të thotë ndërtimi i objektit me dyer dhe dritare dhe fasada e jashtme. “Faza e parë ka kushtuar 13 milionë euro, ku përfshihet ndërtimi i objektit deri në këtë fazë, projektimi, matjet e objektit duke përfshirë edhe analizat nga instituti seizmologjik. Punët kanë filluar në muajin qershor të vitit 2015 për shkak të pengesave në teren. Ndërtimi zgjati 5 vjet dhe tashmë gjithçka është gati për fazën e dytë”, thotë drejtori i Pallatit të kulturës në Tetovë, Artan Arsllani.Punët zgjatën katër vite ngase kishte problem me dislokimin e barakave dhe trafostacionit të EVN-së që mori shumë kohë. Por, ende nuk dihet se kur do të fillojnë punët për fazën e dytë. Drejtori Arsllani thotë se Qendra për kulturë në Tetovë ka hapur tender dhe ka mbyllur projektimin e fazës së dytë. “Qendra për kulturë në bazë të konkluzionit së Qeverisë, ndërmori hapat e nevojshme që përfshinte projektimin e enterierit të nevojshëm për fazën e dytë dhe përgatiti raportin për hapjen e furnizimit publik për enterier. Kjo parasheh rregullimin e brendshëm dhe kompletimin e sallës së teatrit”, thotë ai.

Sipas parashikimeve, Qeveria bën plan dinamik që të përmbyll tërë objektin rreth tre viteve, por pasi që tashmë është edhe faza e zgjedhjeve të parakohshme, mbetet që qeveria e re të japë sqarime dhe detaje. Por, sipas Arsllanit, zgjedhjet e parakohshme kanë pezulluar miratimin e raportit për fazën e dytë. Ende nuk dihet se a do të jetë pjesë e objektit edhe restoranti i shumë përfolur në kulmin e teatrit dhe bibliotekës. “Parashihet që në këtë objekt të ketë rreth 130 vende për parkim për të gjithë qytetarët. Krahas kësaj, do të ketë edhe një kinema për filma, që i mungon qytetit të Tetovës. Teatri do të ketë dy salla, sallën e vogël dhe sallën e madhe. Hapësira po ashtu do të ketë për aktorët ku do të mund të kryejnë provat, të cilët u mungojnë momentalisht aktorëve tetovarë. Biblioteka do të ketë dy kate, njëri është paraparë për lexuesit e vegjël dhe tjetri për të gjithë qytetarët”, njoftoi drejtori Artan Arsllani.

Sipas informacioneve që morën në Qendrën për kulturë në Tetovë, të gjithë obligimet ndaj ndërtuesit apo operatorit janë shlyer. “Sipas vlerësimeve të mbikëqyrësve, objekti është reprezentativ dhe i ka plotësuar të gjitha standardet evropiane dhe botërore për këtë qëllim. Objekti ka 26 mijë metra katrorë që është i mjaftueshëm që të funksionojnë dy institucione, të cilët deri më tani nuk kanë patur hapësira të mjaftueshme” deklaroi ai.

Për fazën e dytë, e cila ende nuk dihet se kur do të fillojë të realizohet, sipas projektit për enterier, duhet të sigurohen 26 milionë euro, që do të thotë se tërë objekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës deri në lëshimin nën përdorim shtetit do t`i kushtojë 39 milionë euro. Me ndërtimin e kësaj qendre, do të zgjidhet problemi hapësinor për më shumë institucione, si teatri, biblioteka, qendra e kulturës e të tjera, të cilat funksionojnë në një vend prej disa vitesh. Sipas drejtorit të Qendrës për kulturë në Tetovë, faza e dytë apo kompletimi i tërë objektit pritet të jetë gati për tre vite, nëse eventualisht nuk ka ndërkohë probleme të natyrave që kanë qenë deri më tani. Ndërkohë, në një ceremoni solemne, më 28 nëntor të vitit 2014 ishte vendosur gurthemeli për ndërtimin e teatrit dhe bibliotekës në Tetovë. (koha)