Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, të cilin e ka quajtur mashtrues.
Ish-ministri i Drejtësisë, ka thënë se Kurti po e dërgon Kosovën në rrugën e gabuar si shtet, kundër amerikanëve.
“Qytetarët e Kosovës janë të fyer nga ky kryeministër mashtrues, që i ka këto sjellje në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot është fyer historia jonë kombëtare. Është fyer Republika e ndërtuar me gjak dhe sakrificë. Sot mund të jetë gëzuar paarsyeshëm vetëm Albin Kurti dhe kundërshtarët e pavarësisë sonë. Sot ka ardhur dita e përmbysjes më të madhe që kemi mundur ta përjetojmë si shoqëri. Andaj sot ne duhet ta konfrontojmë fuqishëm këtë aventurë. Andaj sot jo vetëm dorëheqje të këtij mashtruesi, por edhe përgjegjësi për r rugën ku e ka dërguar Kosovën për një muaj”, tha ai.
Tahiri i tha Kurtit mos të frikësohet dhe të shkojë të takojë Presidentin Thaçi për koordinim për politikën e jashtme.
“Ne thërrasim seancë të jashtëzakonshme për të debatuar relacionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i vendit del na flet për Hashim Thaçin. Ne thërrasim seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për taksën, kryeministri i vendit prapë del na flet për Hashim Thaçin. I tregojmë kryeministrit të vendit që presidenti po e pret që tre ditë me radhë, mos të frikësohet, mos të zgërdhihet, shko takohu koordinohu, koordinoi qëndrimet politikën të jashtme me presidentin, nuk ke nevojë me u frikësuar. Herën e parë ke ndejtur katër minuta, tash provo rri 14, besoj ka me të pëlqyer, se shihet që e ke një lloj urrejtje e dashni ndërmjet tij”, tha Tahiri.
Ai tha se Kurti është demagogu më i madh që e ka pasur ndonjëherë Kosova dhe që agjendën e tij antiamerikane, po e bën agjendë shtetërore të Republikës së Kosovës.