Nga Bozovca maskat zbresin në Tetovë. Edicioni i 12-të i Karnavaleve ilire


Edicioni i 12-të i Karnavaleve ilire të Bozovcës edhe këtë vit vjen me një risi. Organizatorët kanë vendosur që manifestimi tradicional përveç se të mbahet për dy ditë rresht nga datat 12-15 mars, ditën e dytë parada e maskave të zhvendoset në qytetin e Tetovës.

Për t’i dhënë një karakter më masiv dhe mundësinë që ritualet e karnavaleve që zhvillohen vetëm në thellësitë e Sharrit, në fshatin Bozovcë, të ndiqen nga një numër më i madh qytetarësh. Përgatitjet janë drejt fundit, dhe një prej organizatorëve, Neshat Mehmedi, pohon se përfshirja sa më e madhe në këtë ngjarje ka për qëllim që të rrisë sensibilizimin e shoqërisë për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave unike të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

“Karnavalet në vetvete kanë esencën e besimeve me bazë popullore, qe lidhen direkt ose indirekt me psikologjinë popullore të të menduarit. Edhe sot ka raste kur njerëzit janë të ngarkuar me besime të tilla inovative që maskojnë të vërtetën, duke dashur që të përfitojnë nga të mirat e natyrës, qoftë nëpërmjet magjive homopatetike apo dhe nëpërmjet mendimeve për mësyshin apo të bomet etj.

Religjioni popullor, si një valë manifesti nuk i pengon askujt, përkundrazi na lidh fuqishëm me autoktonitetin, me paraardhësit tonë, na fuqizon si popull me baza sedentare. Prandaj manifestime te tilla si karnevalet ilire apo të tjera të llojit të traditës popullore të rikujtohen dhe të begatohen pa prekur esencën e burimores së saj”, pohon antropologu Rini Useini.

Karnavalet e Bozovcës, pas ndërprerjes në vitin 1981, nisën pas më shumë se dekadash. Skenari është i thjeshtë dhe ruan një skemë që bazohet në gojëdhëna të mbledhura nga më të moshuarit, materialet etnografike dhe synon të të festojë jetën dhe begatitë e saj në formën pagane.

Ato simbolizojnë ndërrimin e stinëve, kalimin nga dimri në pranverë dhe mënyrën sesi banorët e kësaj zone bëhen gati për të nisur një jetë të re dhe për të larguar të këqijat.