Tre dronët e policisë janë të vendosur në një hangar policor në Aeroportin Petrovec. Sistematizimi i fundit në Ministrinë e Brendshme nga ish-ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, i bërë më 18 dhjetor 2019, nuk ka paraparë njësi për drone dhe tashmë nuk ka kush i menaxhon ato.
Për momentin departamenti i kontrollit të brendshëm e heton këtë rast dhe planifikoj të bëj kërkesë për ngritjen e përgjegjësisë penale për ish ministrin Oliver Spasovski sepse është bërë kontratë për mirëmbajtje dhe mbështetje të pajisjeve teknike gjë që ai nuk e ka paraparë me sistematizimin…- Naqe Çulev, ministër i Brendshëm.
Shteti për mirëmbajtjen e këtyre fluturakeve, sipas kontratës, paguan rreth 2 milionë dollarë. Dronët janë të tipit Hermes 450, të blera nga Izraeli dhe shteti këto i ka nga viti 2011. I ka shfrytëzuar ish DSK-ja. Me sistematizimin e ri të gjithë pjesëtarët e njësitit për menaxhim me këto fluturake, për trajnimin e të cilëve është paguar shtrenjtë, janë sistematizuar në vende të tjera të punës. Çulev tha se MPB është e gatshme të ballafaqohet me valën e mundshme të refugjatëve. Është rritur numri i policëve dhe forcave ushtarake në kufirin me Greqinë.
BE tani ka politikë më rigide dhe më të rreptë, Maqedonia do t’i aktivizojë të gjitha mjetet e disponueshme me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë për ta mbyllur kufirin për emigrantët- tha Çulev.
Çulev paralajmëroi që MPB është e gatshme për zhvillim pa pengesë të ndeshjes Maqedoni- Kosovë. Planifikohet që të angazhohen rreth 3300 policë, por edhe policë nga Kosova. Gjithashtu, ministri Çulev në emisionin 200 në Alsat deklaroi se me zëvendësen Petrovska është arritur marrëveshje për sistemin e kuadrove në MPB sipas Ligjit për Qeveri.