90.42% e Stafit të UT-së votuan për zgjedhjen e Rektorit 2023/2026

Me shumicë votash të stafit akademik të 13 fakulteteve, Prof. Dr. Jusuf Zejneli u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës, për mandatin e ardhshëm trevjeçar, 2023 – 2026. Pas marrjes së rezultateve për realizimin e votimit të sotëm për zgjedhjen e Rektorit, të dorëzuara nga komisionet e njësive akademike, Komisioni qendror universitar i zgjedhjeve i ka kontrolluar dhe përmbledhur rezultatet e votimit për të gjitha njësitë e UT-së.

Të drejtë vote kanë pasur gjithsej 334 anëtarë të këshillave mësimorë-shkencorë të fakulteteve. Gjatë procesit të votimit të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 302 votues, ku kandidati Prof. Dr. Jusuf Zejneli ka marrë 260 vota, kandidati Prof. Dr. Bashkim Ziberi 14 vota, kandidatja Prof. Dr. Myqereme Rusi 1 votë, kandidati Prof. Dr. Dervish Alimi 0 vota dhe 27 vota kanë rezultuar të pavlefshme.

Kandidatët për rektor gjatë votimit janë vlerësuar sipas pikëve të fituara, edhe atë: Prof. Dr. Jusuf Zejneli, profesor ordinar në Fakultetin Juridik, ka fituar gjithsej 2307,215 pikë; Prof. Dr. Bashkim Ziberi, profesor ordinar në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, ka fituar gjithsej 89,337 pikë; Prof. Dr. Myqereme Rusi, profesoreshë ordinare në Fakultetin Filozofik, ka fituar gjithsej 3,448 pikë dhe Prof. Dr. Dervish Alimi, profesor ordinar në Fakultetin Filologjik, ka fituar gjithsej 0 pikë.

Në përputhje me nenin 106, paragrafi 9, i Statutit të Universitetit të Tetovës, për mandatin e ardhshëm trevjeçar 2023-2026, Rektor i Universitetit të Tetovës është zgjedhur kandidati Prof. Dr. Jusuf Zejneli, profesor ordinar në Fakultetin Juridik, i cili ka fituar më shumë pikë në këtë proces zgjedhor.