9-vjeçari nga Gjilani, i dyti nga 500 pianistë konkurrentë nga mbarë bota

I riu shqiptar triumfoi me talentin e tij në piano. Ani pse kishte shumë konkurrentë nga katër kontinentet, Azia, Amerika, Evropa e Australia, gjilanasi nëntëvjeçar, Kushtrim Bajrami, në garën internacionale për piano është renditur në pozitë të dytë nga 500 pianistët që kishin marrë pjesë, transmeton albinfo.ch.

Pjesëmarrëse ishin 36 shtete nga mbarë bota, siç janë: Spanja, SHBA, Kanada, Australia, Anglia, Kina e shumë shtete të tjera me tradita të mëdha në ekzekutimin e pianos.
Bajrami, i cili është në klasën e tretë në shkollën ‘Musa Zajmi’ në Gjilan, tani e dy vjet është edhe nxënës i rregullt në klasën e dytë të muzikës për piano, ku fshehtësitë e këtij instrumenti me mjaft sukses po ia mëson mësuesja Hajrie Bislimi.

Në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, në Sarajevë, shtet i cili ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës, Bajrami në garën internacionale “Internacional Piano Competiton Sergei Rachmaninoff” ka lënë mbresa të mëdha si te publiku, po ashtu edhe te juria profesionale, e cila ishte e përbërë nga muzikantë të mëdhenj nga katër kontinentet pjesëmarrëse.