82 vjeçarja do të fluturojë për në gjithësi

Manjati amerikan, Jeff Bezos, ka zgjedhur një grua për të shkuar në gjithësi me të. Kjo grua është 82 vjeçarja Wally Funk.
Kësaj të moshuare dikur iu mohua e drejta që të bëhej astronaute, kjo për shkak të gjinisë, e tani do të fluturojë për në gjithësi bashkë me Bezos.

Me këtë fluturim, Funk do të bëhet personi më i moshuar që do të udhëtojë në gjithësi. Ajo do të fluturojë me anijen kozmike New Shepard, të cilën e zhvilloi kompania e Bezos “Blue Origin”.
Funk ishte njëra prej anëtarëve të grupit të njohur si ‘Mercury 13‘ të cilat iu nënshtruan trajnimeve, por privatisht për astronaute në vitet e 60-ta, por të cilave nuk iu mundësua të realizojnë ëndrrën e tyre për të shkuar në gjithësi.
Në atë kohë, politikë e NASA-s ishte që vetëm meshkujt të testoheshin për pilotë apo astronautë.

Në videon të cilën Bezos e postoi me Funk në Instagram, kjo 82 vjeçare dëgjohet duke thënë se dëshiron të bëjë gjëra që s’i ka bërë askush deri më tani.
Bezos i ka dëshiruar Funk mirëseardhje në ekipin e tyre si mysafire speciale.
Funk u lind në New Mexico. Ajo është instruktorja e parë për fluturime ushtarake si dhe femra e parë për hetime të sigurisë ajrore nga National Transport Safety Board.

Ajo ka kaluar testin fizik të NASA-s për zgjedhjen e astronautëve, por përkundër kësaj, angazhimi iu pamundësua për shkak të gjinisë. Ajo madje këtë test e kishte përfunduar më mirë se meshkujt, por u zhgënjye disa herë dhe ka menduar se më nuk do të kishte shans të realizonte këtë ëndërr.
Funk do të shkojë në gjthësi me datën 20 korrik 2021.