82 raste të reja me koronavirus janë regjistruar të premten në Kosovë, ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë. Sipas njoftimit, ky rezultat ka dalë nga testimi i 456 mostrave.
Prishtina prin sërish me numrin më të madh të rasteve. Në kryeqytet, të premten janë regjistruar 41 raste të reja. Pasojnë komuna e Gjakovës me 14 raste, komuna e Vushtrrisë 7 raste, komuna e Prizrenit 5 raste, komuna e Ferizajit 3 raste, komuna e Vitisë 3 raste, komuna e Podujevës 2 raste, komuna e Fushë Kosovës 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Klinë, Lipjan, Obiliq, Mamushë dhe Rahovec.
Të premten janë shëruar edhe shtatë pacientë. Me shtimin e tyre numri total i të shëruarve ka shkuar në 980. IKSHPK ka bërë të ditur se deri tash në Kosovë janë testuar 20662 persona të dyshimtë. Prej tyre me rezultate pozitive kanë dalë 1998. 34 persona kanë vdekur.
Numri i rasteve aktive është 984.