Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, gjatë raportimit rreth shpalljes së konkursit në Policinë e Kosovës dhe përfaqësimin e komuniteteve para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, tha se 865 kandidat janë nga komuniteti serb.
Ndërsa sipas tij në total kanë aplikuar 17 mijë e 620 kandidatë për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Konkursi u shpall me 16.04 dhe ka zgjat deri me 10. 05 2018. Kanë aplikuar 17 mijë e 620 prej këtij 2 mijë e 358 janë femra. Prej tyre, 92.32 përqind janë shqiptarë, 865 aplikues janë serbë, ashkalinj 0.36 %, boshnjak 1.11 % dhe romë 0.19″, theksoi Gashi.
Ndonëse tha se përfaqësimi i komuniteteve në PK është vlerë dhe domosdoshmëri, vetëm ata të cilët e kalojnë pragun prej 70% do të jenë pjesë e PK-së.
” Ne uniformën nuk e ndajmë në përkatësi, ndërsa në praktikën tonë të punësimit për përfaqësimin e komuniteteve, e marrim si vlerë dhe domosdoshmëri. Në fakt e rrit besueshmërinë, ku ajo shërben dhe në të njëjtën kohë është në shërbim të të gjithëve”.
“Inkurajuese për neve do të jenë gjinia dhe komunitet, por kushti është 70 përqind testi duhet me kalu. Në vitet në vijim do t’i shohim edhe mundësitë e tjera por mendoj kusht është shanset e barabarta”.
Ndonëse konkursi është mbyllur në muajin maj ende nuk janë shpallur rezultatet e kandidatëve të pranuar. Gashi, vonesën e shpalljes së rezultateve e arsyetoi me numrin e madh të aplikantëve.
Kryetari i Komisionit, Igor Simiq, u shpreh i bindur se kandidatët nga komunitetet do të kalojnë pragun prej 70%.
“Ekziston dhe obligim kushtetues për punësimin e 10%. Sepse numri i kandidatëve që janë paraqit dhe i takojnë komuniteteve besoj se do e kalojnë atë pragun qe e keni ju 70%”, tha Simiq.
Në anën tjetër, anëtarët e komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim kërkuan nga ministri që komunitetet jo shumicë të jenë denjësisht të përfaqësuara në Policinë e Kosovës.
Deputeti Veton Berisha tha se nga komuniteti që ai përfaqëson, janë vetëm 7 policë.
“Komuniteti egjiptian në statistika zyrtare ka vetëm 7 policë që shërbejnë dhe kjo nuk më bën me u ndje mirë për faktin që Policia e Kosovës është një nga mekanizmat e komunitetit tonë. Ne kemi tentuar dhe kërkojmë që komuniteti egjiptian me qenë i përfaqësuar. Cili është plani që ju do ndërmerrni që këto komunitete të iu ushtrohet përparësi dhe si do t’i trajtoni këto komunitete për faktin që në një konkurs prej 18 mijë kam përshtypjen që do të jetë vështirë të jenë në kushte të barabarta”.
Mufera Sinik nga 6+ shprehu shqetësimin lidhur me testin pranues.
“Testimi me shkrim kur ka qenë ka qenë vetëm në gjuhën shqipe dhe serbe në gjuhën turke nuk ka qenë kjo është një vështirësi shumë për komunitetin turk”, theksoi Sinik.