Numri i të prekurve me COVID-19 në Nju Jork është duke u rritur, në 72 orët e fundit numri i të vdekurve është dyfishuar dhe tani është 1.941.
I sëmuri i parë në Nju Jork ishte shfaqur muaj më parë, bëhej fjalë për një punonjës shëndetësor që ishte kthyer në Irani, raporton AP, duke shtuar se prej atëherë numri i të infektuarve është rritur në më shumë se 83 mijë.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andreë Cuomo, ka deklaruar se më shumë se 12 mijë persona janë hospitalizuar, kurse projeksionet më të reja të epidemisë nuk tregojnë ndonjë rënie as edhe këtë muaj.
“Ajo çfarë tani po presim është piku i krizës së pandemisë, që sipas të gjitha gjasave do të ndodh në fund të prillit”, ka shtuar Cuomo.
Ai pranoi se është i shqetësuar se pavarësisht thirrje për distancën sociale, qytetarët vazhdojnë të frekuentojnë palestrat.
“Përdorni hapësira të hapura siç janë parqet, shëtisni dhe rrezituni pak. Por, pa u afruar me njëri-tjetrin, me një fjalë pa kontakt të afërt”, tha ndër tjera guvernatori Cuomo.
Në tërë qytetin policia po patrullon dhe paralajmëron qytetarët që ta mbajnë distancën nga njëri-tjetri. Ndërkaq në parkun qendror të qytetit jo larg nga spitali Mount Sinai, është hapur një spital mobil me 68 shtretër, derisa anija spital është ndalur në portin e Manhattanit për të pranuar pacientë të prekur me COVID-19.
Në anën tjetër kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio, ka deklaruar se nevojiten më shumë se pesë milionë maska dhe 100 mijë rroba mbrojtëse – dhe atë deri në fund të kësaj jave./Telegrafi