“70 % e territorit të Maqedonisë janë prona të shqiptarëve”

“Shqiptarët e shpërngulur në Turqi nga dhu*na e Rankoviqit, shqiptarët, që nga Reka gjer në Manastir; shqiptarë katolikë të Shkupit (dhe të tjerë që nga Saraji, Nerez e qendër, të shpronësuar pas TËRMETIT 1963) dhe pronarët e tokave të nacionalizuara, të konfiskuara në vitin 1946 dhe të rikonfiskuara edhe gjatë procesit farsë të “denacionalizimit”, të krijojnë Shoqatat e tyre, të mbledhin tapitë dhe të kërkojnë restituimin dhe jo vetëm, të tokave të tyre..!”. Kështu shkruan publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike nga Maqedonia, Nijazi Muhamedi në rrjetet sociale.

Por, pse shteti Maqedonas, nuk po ua kthen tokat shqiptarëve, të konfiskuara nga shteti, të nacionalizuara e të shpronësuara dhu*nshëm? Nëse ndodhë kjo, sa % e territorit të Maqedonisë do të mund të ishte shqiptare? Pse partitë politike nuk po i promovojnë këto të drejta të shqiptarëve, pra që ta detyrojnë shtetin t’ua kthejë pronat dhe t’ua kompensojë dëmet?

Lidhur me këtë ҫështje flasin njohës të fushave të ndryshme. Kështu profesori shqiptar nga Maqedonia, Sulejman Mehazi ka folur për ‘Bota sot’ duke thënë se, troje shqiptare janë vjedhur jo vetëm në Kosovë, Çamëri, Mal të Zi e në Serbi, por edhe nga fqinjët sllavo-serbe-greke. Madje thotë se këto troje edhe sot kanë mbetur të konfiskuara.

“Tokat shqiptare jo vetëm në RMV, por në të gjitha trojet si në Kosovë, Çamëri, Mal të Zi e në Serbinë Jugore janë konfiskuar, vjedhur e plaçkitur nga fqinjët sllavë, serbë e grekë. Pas ardhjes së demokracisë shumë qytetarë shqiptarë me tradita fisnike kërkonin nga qeveritë maqedonase që pasuritë e patundshme të marra e konfiskuara dhu*nshëm nga pushtetarët komunistë të Maqedonisë t’ua kthenin pronarëve pasuritë e gllabëruara nga komunistët sllavo-maqedonas. Sot e kësaj dite shumë prona të konfiskuara, të nacionalizuara e shpronësuara të qytetarëve shqiptarë kanë mbetur të robëruara, të plaçkitura e të përvetësuara nga pushtetarët e këtij shteti”, thekson ai.

Profesor Mehazi thotë më tutje thotë se edhe shqiptarët e shpërngulur në Turqi ende vrapojnë pas gjyqeve për tokat e tyre, mirëpo nuk po kanë sukses. Sipas tij, 70% e tokave në Republikën e Verimaqedonisë kanë qenë të vendasve shqiptarë dhe vetëm 30% të qytetarëve maqedonas e serbë.

“Shumë shqiptarë të shpërngulur në Turqi me vite e vite vrapojnë pas gjyqeve për t’ua kthyer tokat e tyre të konfiskuara, por pa farë suksesi, mirëpo edhe pse tokat e nacionalizuara të sistemeve komuniste konfiskonin pasuritë e shqiptarëve, por emri i tapive e në kadastrat pronësore ishin të regjistruara nga personat e mallrave të konfiskuara, mirëpo gjatë tranzicioneve demokratike në RMV u bë dhe më keq, pronat e tapiosura të shqiptarëve nëpër kadastre i ndërronin me emrat e funksionarëve e partiashëve të pushtetit. Sipas vakëfeve të Perandorisë Osmane, 70% e tokave e pasurive të patundshme e të tundshme në R. e Verimaqedonisë kanë qenë të qytetarëve vendas shqiptarë, kurse vetëm 30% e qytetarëve serb e maqedonas”, vlerësoi ai.

Mehazi thotë se më e keqja, se, me ardhjen e demokracisë që nga 1992 të shek. të kaluar partitë shqiptare duke vrapuar pas pushtetit as që ju ka interesuar kthyerja e pronave, që sot e kësaj dite BDI-ja në pushtet jo që mundohet t’ua kthej qytetarëve shqiptarë pronat e kidnapuara e të plaçkitura nga ish-sistemi komunist, por shumica e funksionarëve i kanë përvetësuar këto prona të huaja për vete.

“Lu*fta më e mençur e partive shqiptare në RMV do të ishte që përveç pushtetit të sundojnë edhe ligjin e denacionalizimit të tokave shqiptare që nga Prespa, Ohri, Struga, Dibra, Kërçova, Gostivari, Tetova, Shkupi, Kumanova, Velezi, Prilepi, Shtipi e Manastiri. Është e diskutueshme se kush i mori pronat shqiptare të qytetit të Alfabetit, të Manastirit, që para Lu*ftës së Dytë Botërore ka qenë 65% me shqiptarë, si është e mundur që para tërmetit, 1963, Shkupi me rrethinë ka qenë 70% shqiptarë, ku shkuan e kush i mori pronat e shqiptarëve? Suksesi më i madh i partive shqiptare do të ishte kthyerja e pronave te pronarët shqiptarë e më pas pushteti, jo shqiptarët pushtetin – e pronat maqedonasit. RMV-ja bëhet e shqiptarëve me pronarë tokash e jo me pozita qeverisëse, qeveritë vijnë e shkojnë tokat shqiptare mbeten përgjithmonë”, thekson profesor Mehazi për ‘Bota sot’.

Mulliqi: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre nuk i realizojnë sa duhet as në bazë të Marrëveshjes së Ohrit

Ndërkaq njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi lidhur me këtë ҫështje, thotë se, ka një histori të gjatë për pronat në Maqedoninë Veriore, ku iu kanë marrë tokat shqiptarëve, për t’zëvendësuar me ato të kolonëve.

“Në periudha historike janë konfiskuar tokat e shqiptarëve nga sllavomaqedonasit. Kjo ka ndodhë edhe me ligjet mbi kolonizmin e krahinave shqiptare të Maqedonisë. Këto ligje që ju morën tokat shqiptarëve iu humbën atyre çdo mundësi ligjore, që po zgjatë edhe sot. Diskriminimi kulturor e nacional të shqiptarëve duke i përgjysmuar ata edhe me statistika, ka bërë që ata ende mos t’i gëzojnë të drejtat si popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Maqedonia edhe pse shumicë shqiptare edhe me territore, vazhdimisht u ballafaqua me pretendimet e pushtetit sllavomaqedonas e bullgaromadh për kolonizim me qëllim që të ndryshohet struktura etnike”, vlerëson Mulliqi.

Ai thotë tutje se, ky diskriminim me prona u bë në bashkëveprim me dhu*në, vr*asje të shqiptarëve në të gjitha periudhat kohore. Si proces dhe platformë politike antishqiptare ai nuk është ndalur asnjëherë.

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të drejtat e tyre nuk i realizojnë sa duhet as në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, që u arrit pas lu*ftës së vitit 2001, dhe as me ndryshimet kushtetuese të vitit 2002. Populli shqiptarë ndër popujt më të vjetër të Evropës, mbi të cilin u vërsulën stuhi të shumta dhe rrallë mund të ketë ndonjë popull në botë që të ketë pasur pushtime dhe pushtues kaq të egër, që kanë njohur këto troje të banuara me iliro-shqiptarë. Partitë politike shqiptare në Maqedoninë Veriore nuk ishin kompakte sa duhet që t’i realizojnë të drejtat e tyre, kur dihet se janë sa sllavomaqedonasit me numër, edhe kur bëhet fjalë për pronat. Këto prona që iu janë marrë pa të drejtë duhen tu kthehen pronarëve të vërtetë shqiptarë”, thotë ai.

Analisti Mulliqi thotë se, në këtë drejtim lypset një angazhim shumë më i madh se deri më tash, i partive politike shqiptare për rregullimin e pronave të konfiskuara.

“Mendësia e copëzuar e shqiptarëve në këtë republikë, duhet të flaket se në pyetje është interesi nacional i tyre. Nuk është reale shifra nga statistika me hile në Maqedoninë e Veriut kur thuhet se maqedonë janë 54 për qind e shqiptarë afër 30 për qind. Kjo pjesa politike e diskriminimit. Kur bëhet fjalë për pronat e konfiskuara nga shteti dhe të nacionalizuara, ato duhet që të kërkohen edhe nga partitë politike, që me ngulm tu kthehen dhe tu kompensohen shqiptarëve. Ata ishin shumicë në trojet etnike, por që politikat e ndryshme antishqiptare të kohës, u treguan të padrejta në këtë drejtim, duke i përgjysmuar ata edhe me ndjekje nga vendlindjet e tyre për në Turqi e shtete të tjera. Këto praktika të vjetra të sundimit në këtë republikë, duhen të ndërprehen me internacionalizimin më të madh të çështjes, ende të pazgjidhur mirë, të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore”, thekson ai.