Lidhja Demokratike e Kosovës po thotë se ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë Hoti, ku duhen 61 vota.
Vet kreu i LDK’së, Isa Mustafa dje gjatë ditës në një reagim ndaj Qeverisë Kurti për sjelljen e tyre ndaj deputetit Behgjet Pacolli, ka thënë se mos të malltretohet deputetit i AKR’së, pasi votat për formimin e Qeverisë i kanë.
Po ashtu, edhe deputetja e LDK’së, Besa Gaxherri, tha se edhe pa votën e Behgjet Pacollit i kanë të sigurta tashmë 61 vota për të votuar Qeverinë Hoti.
Ajo tha se nuk e kanë problem mungesën e votave, përkundrazi mund të ketë edhe më shumë, por assesi më pak.
“Po punohet me secilin deputet jashtë subjektit politik dhe duam ta kemi një qeveri duke u bazuar në Kushtetutën e vendit. Uroj që nesër të arrihet marrëveshja. Të gjitha subjektet janë deklaruar që janë të gatshme edhe pse s’është e thënë që pikërisht nesër të ndodhë”.
Gaxherri tha se të premten mund ta thërrasin seancën dhe se nuk beson që kryeparlamentarja Vjosa Osmani mund ta pengojë me ndonjë qëllim.
“Qëndrimi i Osmanit është i njohur, por duke e njohur që është luftëtare për rregulloren dhe ligjet e vendit, s’kam dyshim që do ta procedojë brenda rregullores sepse ende s’ka arritur në Kuvend. S’besoj që me ndonjë qëllim do të prolongojë punën. Seanca do të mbahet brenda afateve të rregullores”, tha Gaxherri në Klan Kosova dje.