55 raste të reja në Greqi/ Mediat helene: Të shqetësuar për rastet në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut

Organizmi Kombëtar i Shëndetit Publik në Greqi ka deklaruar pasditen e së mërkurës një rritje të rasteve të të prekurve me Covid 19.

Sipas deklaratës për shtyp në 24 orët e fundit janë regjistruar 55 raste të reja, 50 prej të cilave në Ksanthi dhe Rodhopi në lindje të vendit në kufi me Turqinë.

Prej dje madje në bashkinë Lasmou të Rodhopit si dhe në një komunë të këtij qyteti janë vendosur masa karantine lokale. Dy raste janë regjistruar në periferinë e Atikës.

Kështu numri i të prekurve prej fillimit të pandemisë në Greqi ka shkuar në 3203, ndërsa në 48 orët e fundit kanë humbur jetën edhe 5 qytetarë të tjerë duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave nga koronavirusi në 187. Gjithashtu edhe 11 persona vazhdojnë të trajtohen me terapi intensive.

Sipas raportit të katërt të monitorimit të qeverisë për Covid-19 që i përket periudhës 3 -11 qershor , vihet re një rritje e numrit mesatar ditor që ka shkuar tashmë në 17 raste në ditë , në krahasim me 6 raste që ka qenë në raportin e mëparshëm .

Njëkohësisht mediat greke shohin me shqetësim edhe rritjen e numrit të rasteve tek shtetet fqinje me Greqinë, si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bullgaria.

Madje për Shqipërinë thonë se tashmë nuk përbën më atë surprizën e këndshme të javëve të mëparshme, kur dukej se po mbante mrekullisht në një nivel të ulët numrin e rasteve dhe të vdekjeve nga virusi në fjalë.