5 vite sukses i motrave nga Piroku i Tetovës në Zvicër!

Studioja kozmetike “Beauty Sisters”, e themeluar nga tre motra të suksesshme me origjinë nga Piroku, Tetovë, feston sot 5-vjetorin e saj. Mila, Arta dhe Bea, të cilat jetojnë dhe punojnë në Zvicër prej vitesh, janë shembull frymëzimi për gratë që synojnë të realizojnë ëndrrat e tyre, pavarësisht sfidave shkruan Pa Censurë.

Mila, ekspertja me përvojë shumëvjeçare në kozmetikën medicinale, riktheu pasionin për profesionin e saj duke ndjekur shkollime dhe seminare në SGMK (Schweizerische Gesellschaft für Medizinische Kosmetik), duke i dhënë prioritet trajtimeve medicinale moderne.

Arta, e cila është përgjegjëse për kontabilitetin dhe marketingun e studios, ka ndjekur trajnimet për trajtime kundër celulitit dhe depilime me lazer në Zvicër. Ajo sjell aftësitë e saj në drejtimin strategjik të biznesit.

Bea, me pasionin e saj për make-up dhe përvojën në evente prestigjioze si Miss Zvicra, Rosenbergball, dhe ngjarje në Hotel Dolder Grand, është një nga emrat e njohur në industrinë e bukurisë në Zürich.

Në një mesazh frymëzues për gratë, motrat theksojnë:
“Nuk është e lehtë si grua të nisësh një biznes dhe të merresh seriozisht, por kur ke vullnet dhe pasion, çdo gjë është e mundur. Dëshirojmë të jemi shembull për të gjitha gratë, si në Maqedoni ashtu edhe jashtë vendlindjes.”

Studioja “Beauty Sisters” është ndërtuar me shumë punë dhe përkushtim nga vetë motrat, duke dëshmuar se gratë kanë fuqinë të krijojnë të ardhmen e tyre në biznes.

Për të gjitha gratë që ndajnë të njëjtën ëndërr, Mila, Arta dhe Bea japin një mesazh të qartë:
“Me vullnet të madh dhe punë të palodhur, çdo grua mund të arrijë sukses.”

Pa Censurë ju uron përvjetorin dhe suksese të mëtejshme!