44-vjeçari nga Gjilani, që vdiq sot nga COVID-19, ka qenë në …


44-vjeçari nga Gjilani, që vdiq të dielen nga COVID-19, ka qenë i shtrirë në Infektivë tash e dhjetë ditë, në gjendje të rëndë. Vdekja e tij ka bërë që numri i vdekjeve nga koronavirusi në Kosovë të arrijë në 21.

Për gjendjen e tij ka folur infektologu Arben Vishaj. Ai ka thënë se pacienti nga rrethi i Gjilanit ka qenë në hemodializë.

“Sot në orën 11:30 minuta për fat të keq ka humbur jetën edhe një pacient tjetër. Pacienti ka qenë i lindur me 1976, është nga rrethi i Gjilanit. Përndryshe ka qenë në hemodializë, ka pasur sëmundje tjetër dhe për fat të keq ka humbur jetën… pacienti kur ka ardhur ka qenë në gjendje shumë të rëndë. Ai gjatë tërë kohës ka qenë në hemodializë nga pamjaftueshmëria klinike të sëmundjes së veshkave. Ka qenë në një gjendje septike me infiltrim mushkëror dhe mjerisht sot ka pësuar fatalisht”, ka thënë Vishaj për ksp.

Vishaj po ashtu ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive janë të shtrirë 60 persona, prej të cilëve pesë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

“Aktualisht në Klinikën Infektive ne i kemi 60 pacientë të cilët janë diagnostikuar me Covid 19. Prej tyre pesë pacientë janë me oksigjenoterapi… përndryshe gjendja e pacientëve tjerë është stabile. Ne i kemi edhe tre fëmijë, më i vogli është tetë muajsh, të moshës 1 dhe 2 vjeç dhe gjendja e tyre e përgjithshme është e mirë. Gjithashtu, kemi edhe personel shëndetësor, janë infermierë, të regjionit të Prizrenit dhe Gjakovës. Njëherit ne i kemi edhe dy paciente shtatzëna të cilat janë në gjendje në përgjithësi të mirë”, thekson Vishaj.

Vishaj thekson se gjatë ditës kanë pranuar edhe tre pacientë tjerë, të cilëve u janë marrë analizat për t’u testuar nëse janë të infektuar me Covid-19.

Ndër të tjera, infektologu Arben Vishaj tregon se si po trajtohen pacientët tjerë, të cilët janë në gjendje më të mirë.

“Këta trajtohen sipas protokolleve standarde të aprovuara nga Klinika Infektive. Zakonisht ordinojmë terapi mbështetëse simptomatike. Në disa raste ordinojmë klorokin”, ka thënë ai.

Gjithsej 731 persona janë konfirmuar me koronavirus në Kosovë deri më tani, 165 prej të cilëve janë shëruar, derisa 21 kanë vdekur.