400 mijë euro dhe vilë në Tiranë, kërkesat e çmendura të “Bubës”

Ferhan Hasani ka qenë një nga emrat më të përmendur në këtë merkato dimri, i cili përfundimisht zgjodhi të firmoste për Partizanin. Sulmuesi i njohur me një karrierë të pasur europiane ishte fillimisht në tratativa me skuadrën e Tiranës. Bisedimet kishin kohë që kishin nisur dhe pati një akord paraprak mes palëve, siç mëson Newsport.al nga burime pranë futbollistit. Por pas zhbllokimit të merkatos nga Partizani, situata ndryshoi.

Prapaskenat kanë qenë të shumta me Hasanin. Ai ka kërkuar nga Tirana një pagë të lartë që kapte shifrën e 20 mijë eurove në muaj, me një kontratë 18 mujore. Një nga kushtet që parashikohej në të ishte që 50 përqind të të gjithë të ardhurave duhej të paguheshin menjëherë. E thënë ndryshe nga një kontratë prej 360 mijë eurosh në 1 vit e gjysmë, klubi bardheblu duhej t’i jepte në dorë lojtarit plot 180 mijë euro. Ndërsa pjesa tjetër do të shlyhej çdo muaj në formë rroge mujore.

Duke njohur standartin e kampionatit shqiptar dhe të ardhurat që gjenerohen pikërisht nga elita, këto shifra janë të frikshme për klubet tona kur bëhet fjalë vetëm për 1 futbollist. Burime të besueshme pranë agjentëve të tij tregojnë se Hasani kishte kërkuar që të kishte një vilë në Tiranë, si dhe 500 euro për akomodim dhe ushqim. Gjithashtu të gjitha të ardhurat që jep UEFA për pjesëmarrjen e futbollistit në kampionatit europian, do t’i kalonin tërësisht atij.

Një tjetër kusht i vendosur nga lojtari përmes agjentëve të tij, ishin bonuset në fitoret e ndeshjeve, gjithashtu për fitimin e kampionatit, pjesëmarrjen në Europa League apo dhe Champions League. Në fund, menaxherët e futbollisti kërkonin 10 përqind komision nga rroga totale që do të përfitonte Hasani në 18 muaj. E thënë ndryshe, agjentët e tij do të merrnin 36 mijë euro për transferimin e 30-vjeçarit te 25 herë kampionët e Shqipërisë.

Në total, Tirana do të pagunte afro 400 mijë euro (pa bonuset e sipërpërmendura), rrogë për lojtarin, komisionin e menaxherëve si dhe akomodimin e tij. Dihet që në vendin tonë, një ekip i projektuar për titullin kampion ka një buxhet prej 1-1.5 milionë eurosh në sezon. E shifra të tilla, siç janë përmendur më sipër janë objektivisht të papërballueshme në aspektin ekonomik për çdo klub të futbollit shqiptar. Për më tepër që një sakrificë e tillë financiare është risk i madh duke qenë se ai ka dy muaj pa qenë në fushë në një ndeshje zyrtare.