40 zjarrfikës padisin komunën e Strugës

Zjarrfikësit e Strugës nuk mund të marrin atë që u takon me ligj. Përkatësisht, me padi në Gjykatën Themelore në Strugë, ata e padisin komunën për detyrime të papaguara për harxhimet e ushqimit, që u takon sipas ligjit për punën e natës, shkruan Alsat.

Një pjesë tjetër e tyre kanë ngritur padi për diferenca të papaguara në pagë dhe harxhime për ushqim. Bëhet fjalë për 40 zjarrfikës. Kërkesat janë për periudhën 2018-2021. Deri më tani janë mbajtur disa seanca, thotë avokati i tyre.

“Nga e gjithë rrjedha e këtyre procedurave dhe nga të gjitha provat e paraqitura deri më tani, zjarrfikësit i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore për të fituar kontestin. Pa llogaritur kamatë, komuna duhet t’i paguajë secilit individualisht nga 45.000 deri në 60.000 denarë”, tha Emin Kurtishi, Avokat.

Ligji për Marrëdhëniet e Punës, thotë avokati, parasheh që nëse punëdhënësi nuk u siguron ushqim punëtorëve që punojnë natën, atëherë duhet t’u paguajë 20% shtesë të pagës mesatare neto në vend. Zjarrfikësit e kontaktuar nga Alsat nuk duan të flasin para kamerës.

Kryetari i komunës së Strugës Ramiz Merko në një ngjarje sot në Ohër iu shmang deklaratave për media. Alsat paraprakisht ka kontaktuar komandantin e zjarrfikësve të Strugës, por edhe ai nuk deshi të flasë për problemin.
Ndërkaq, zjarrfikësit e Ohrit ankohen se nuk kanë pajisje të mjaftueshme.

“Automjeti më i vjetër është i vitit 1983. Aktualisht nuk është në gjendje të vozitet. Është riparuar, por është mjaft rrezik të vozitet. Automjeti i fundit është i vitit 2008. A do të thotë kjo që keni nevojë për automjete të reja, pajisje të reja? Absolutisht, po..”, u shpreh Borko Jankuloski- komandant i zjarrfikësve Ohër.

Zjarrfikësit thonë se përveç pajisjeve, u mungon edhe personeli profesional për shuarjen e zjarreve./ Alsat.mk