40-vjeçari nga Kosova dyshohet se ka vrarë me thikë një shtatzëne në Itali

Një shtetas nga Kosova, B.F. 40 vjeç, dyshohet se e ka goditur me thikë disa herë një grua 26-vjeçare në Itali të martën, në shtëpinë e saj pranë Trevisos, duke e lënë të vdekur në vend, raporton “Today.it”.

Sipas asaj që raportohet, shtetasi kosovar dyshohet se e goditi së paku shtatë herë me thikë Vanessa Ballanin, që ishte disamuajshe shtatzënë, në pragun e shtëpisë së saj.

Sulmi ka qenë i papritur dhe goditjet me thikë kanë qenë nëpër pjesë të ndryshme të trupit të Ballanit.

Vrasësi i dyshuar ishte klient i supermarketit ku punonte gruaja. Gruaja që mbeti viktimë e kishte raportuar për ndjekje në të kaluar kosovarin.

Policia është në kërkim të autorit të dyshuar.

Burri i viktimës ka dhënë intervistë në polici, por ende nuk dihet shkaku që ka çuar në këtë vrasje makabër.