4 raste të reja në Shqipëri, shkon 42 numri i të prekurve nga koronavirusi

Deri në këto momente 532 raste të dyshuara, konfirmohen 42 raste.

“Në 24 orët e fundit nga ana e Institutit të Shëndetit Publik në bashkëpunim me epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor, ka vazhduar pa u ndalur puna në terren, për identifikimin e rasteve dhe për gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara tashmë me Covid-19.
Janë testuar 27 persona të dyshuar, qytetarë dhe personel shëndetësor, prej të cilëve janë konfirmuar 4 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 532 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 42 raste:

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë 26 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 5 raste
Rrogozhinë 2 raste

Prej tyre:
17 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina).
Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana.

Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar deri në këto momente 17 personel shëndetësor, kontakt të të sëmurit të sëmurit të identifikuar me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin Infektiv. Rezulton se 2 prej tyre, personel shëndetësor kanë rezultuar pozitivë. Janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar.

Po zhvillohet një hetim epidemiologjik për këto raste.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve:
Ju lutemi të gjithë qytetarëve që paraqiten në spitale dhe familjarëve të tyre:
Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni udhëtuar jashtë vendit.
Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni një familjar ose të afërt që ka udhëtuar jashtë vendit.
Njoftoni nëse keni patur kontakt me persona që kanë udhëtuar apo kanë shenja të sëmundjes.
MOS vizitoni të afërmit në spitale sepse shkaktoni rrezik edhe për personelin shëndetësor.
Ju lutem bashkëpunoni me mjekët dhe me autoritetet!

SOT ËSHTË DETYRIM që ne të mbrojmë personelin shëndetësor duke treguar ndërgjegje të lartë në raport me të vërtetën, atë që secili prej nesh duhet të bëjë:
Shmangni vajtjet direkte në spitale.
Telefononi 127 dhe ndiqni këshillat që merrni nga personeli shëndetësor.
Gjatë 24 orëve të fundit janë pritur 7247 thirrje, prej tyre 4468 me kodin ‘korona’.
Dua t’ju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi. Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem qëndroni në shtëpi”, njofton ministria e Shëndetësisë.