Liverpool nderon Diogo Jotën pas tragjedisë: Klubi do t’i paguajë familjes pagën për dy vite dhe krijon fond për fëmijët

Pas humbjes tragjike të sulmuesit portugez Diogo Jota, i cili ndërroi jetë në një aksident automobilistik, klubi anglez Liverpool FC ka marrë një vendim që ka prekur zemrat e miliona tifozëve anembanë botës.

Sipas burimeve zyrtare dhe raportimeve nga mediat ndërkombëtare, Liverpool ka vendosur të vazhdojë pagesën e plotë të kontratës së Jotës për dy vitet e ardhshme, duke ia transferuar familjes së tij. Kjo shumë kap vlerën rreth 14.5 milionë paundëve — rreth 140 mijë paund në javë, aq sa ishte paga mujore e lojtarit.

Por përkushtimi i klubit nuk ndalet aty.

Liverpool ka njoftuar gjithashtu se do të krijojë një fond të posaçëm për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të Jotës, duke u zotuar që të mbështesë familjen e tij deri në fund të jetës. Ky veprim ka marrë vlerësime të gjera në rrjetet sociale dhe në mediat sportive, duke u cilësuar si një akt i rrallë humanizmi dhe respekti për jetën e një sportisti që dha gjithçka për klubin.

“You’ll Never Walk Alone” – ky slogan i Liverpoolit, kësaj radhe nuk është vetëm fjalë. Është realitet.

Jota, vetëm 28 vjeç, ishte një nga lojtarët më të dashur të skuadrës dhe një profesionist shembullor. Ceremonia mortore u mbajt në Portugali, ku morën pjesë shokët e skuadrës, përfaqësues nga Premier League, si dhe figura të njohura nga bota e futbollit.

Me këtë veprim, Liverpool ka treguar madhësinë e tij jo vetëm si klub sportiv, por edhe si institucion që vendos njeriun në qendër, duke dhënë një mesazh të fuqishëm për mbështetje, solidaritet dhe kujdes ndaj familjeve të sportistëve.