Automjete policore dhe ushtarake që për më shumë se tetë vite kanë qenë tërësisht të lëna pas dore, janë ripërdorur dhe përshtatur për të shuar zjarret në pyje.
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili mori pjesë në prezantimin e 38 automjeteve (plus 5 të tjera që do të dorëzohen më vonë), tha se shteti është i përgatitur për t’u përballur me sezonin e zjarreve.
“Në këtë mënyrë shteti kursen dhjetëra miliona euro, ndërsa kapacitetet për ndërhyrje janë shumëfishuar,” deklaroi kryeministri.
Mickoski shtoi gjithashtu se këtë javë pritet të kthehet nga servisi avioni i dytë për shuarje zjarresh, ndërsa i treti pritet të mbërrijë deri në fund të muajit ose në fillim të gushtit. Gjithashtu, janë vënë në funksion edhe nga dy helikopterë të ushtrisë dhe policisë.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, në këtë ngjarje deklaroi se bëhet fjalë për automjete të fuqishme terreni me pompa dhe cisterna, të cilat tashmë janë operative.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka pranuar në strukturën e saj 18 automjete të fuqishme terreni të përshtatura të llojit Pinzgauer (priten edhe 5 të tjera) me rezervuarë prej 1500 litrash, 15 automjete të blinduara transportuese BTR 80 të përshtatura me rezervuarë prej 6 tonësh dhe 5 automjete të blinduara transportuese të llojit Hermelin me cisterna tërheqëse prej 2, 4, 6 ose 8 tonësh. Të gjitha 43 automjetet speciale janë të pajisura ose po pajisen me pompa të fuqishme uji me rreze spërkatjeje nga 25 deri në 100 metra,” tha Angellov.
Angellov u shpreh se këtë verë “nuk do t’i duhet dega” – duke theksuar përgatitjen krahasuar me të kaluarën.
Në poligonin ushtarak “Pepelishte” ishin të pranishëm edhe nënkryetari Ljupço Dimovski, ministrat Toshkovski dhe Misajllovski, kryetari i komunës Jançev dhe funksionarë të tjerë, ku u mbajt një demonstrim i kapaciteteve zjarrfikëse të automjeteve të reja.