Goran Grujevski, Toni Jakimovski, Nikolla Boshkovski dhe Valentina Simonovska janë fajtorë për rastin “Fortesa”, që ka të bëjë me shkatërrimin e pajisjeve të përgjimit. Ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska është liruar nga akuza. Kështu ka vendosur sot Gjykata Penale e Shkupit.
Sipas aktgjykimit, ish-shefi i Drejtorisë së Pestë, i cili është në arrati, Goran Grujevski, është dënuar me 14 vjet e gjashtë muaj burg për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar. Nikolla Boshkovski, punonjës i DSK-së, i cili po ashtu është në arrati, është dënuar me 9 vjet e 10 muaj burg për të njëjtat vepra.
Gjykatësi Ilija Trpkov dënoi me tre vjet burg Toni Jakimovskin, shefin e kabinetit të ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov.
Valentina Simonovska u dënua me dy vjet burgim me kusht.
Sipas gjyqtarit Trpkov, Jankulloska nuk ka marrë pjesë në asgjësimin e pajisjeve së bashku me të akuzuarit e tjerë.