Rast i rëndë në Burgun e Dubravës, i burgosuri 20-vjeçar dhunohet seksualisht nga dy të burgosur

Rastet e ngacmimeve, sulmeve e dhunimeve seksuale kanë marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, ku zakonisht viktima janë vajzat e gratë. Mirëpo pre e dhunës seksuale rastis të jenë edhe burrat dhe ngjarje të tilla janë raportuar të kenë ndodhur në burgjet e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu dyshohet të ketë ndodhur së fundmi në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku një i burgosur ka raportuar se është dhunuar seksualisht nga dy të burgosur të tjerë

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima është një i burgosur 20-vjeçar dhe e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në dhomën ku ai ishte caktuar me dy të burgosur të tjerë.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e të burgosurit (emër i njohur për redaksinë), dy të burgosurit e kanë dhunuar në orët e mbrëmjes, pasi ishte mbyllur dera e dhomë – periudhë kjo që e kanë shfrytëzuar për të abuzuar seksualisht me të.

Pasi Policia është vënë në dijeni, hetuesit policorë kanë intervistuar viktimën, i cili ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar dhe më pas i njëjti është dërguar për ekzaminimet e nevojshme mjekësore.

Lidhur me rastin, deri më tash nuk është intervistuar asnjë i burgosur si i dyshuar, ndonëse viktima ka përmendur dy emra (emra të njohur për redaksinë), që pritet të konfirmohen tutje.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Dhunim’ dhe do të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.

Kujtojmë se raste të tilla, por edhe incidente të tjera në qendrat korrektuese, po shpërfaqin (pa)sigurinë në burgje.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.