Izrael: Hezbollahu fsheh 500 milionë dollarë në një bunker nën spital, nuk do ta sulmojmë

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë deklasifikuar informacione të inteligjencës për qendrat financiare të Hezbollahut.

Izraeli e zgjeroi fushatën e tij kundër Hezbollahut të dielën në mbrëmje, duke nisur një seri sulmesh për të dobësuar aftësinë e grupit për të financuar operacionet e tij. “Forcat Ajrore Izraelite kryen një seri sulmesh precize kundër bazave financiare të Hezbollahut,” tha zëdhënësi i IDF-së, kundëradmirali Daniel Hagari.

“Një nga objektivat tona kryesore natën e kaluar ishte një depo nën tokë me dhjetëra miliona dollarë në para dhe ar. Paratë u përdorën për të financuar sulmet e Hezbollahut kundër Izraelit,” shtoi ai, pa specifikuar nëse të gjitha paratë ishin shkatërruar në sulm.

Ai përmendi gjithashtu një bunker të veçantë nën spitalin në kryeqytetin Bejrut, që supozohet të jetë plot me para dhe ar. Ai theksoi se bunkeri nuk është bërë ende objektiv i IDF-së. “Sipas vlerësimeve tona, në këtë bunker mbahen të paktën gjysmë miliardi dollarë në para dhe ar. Këto para mund të përdoren për rindërtimin e shtetit të Libanit,” tha Hagari.

Ai prezantoi një hartë që tregonte vendndodhjen e bunkerit, nën spitalin Al-Sahel në periferinë jugore të Bejrutit, të njohur si Dahiye, ku Hezbollahu është kryesisht i stacionuar. Ai u bëri thirrje autoriteteve libaneze dhe organizatave ndërkombëtare të ndalojnë Hezbollahun nga përdorimi i “parave për terrorizëm dhe sulme kundër Izraelit” dhe paralajmëroi se forcat ajrore izraelite po monitorojnë kompleksin.

Ai vuri në dukje se Izraeli është në luftë me Hezbollahun, jo me popullin libanez, duke njoftuar se IDF nuk do ta sulmojë spitalin. Gjeneral-kolonel Herzi Halevi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, njoftoi se më shumë se njëzet objektiva të Al-Qard Al-Hassan, një kompani financiare e lidhur me Hezbollahun, janë goditur.

Al-Qard Al-Hassan është një kompani financiare, e regjistruar zyrtarisht si organizatë bamirëse, që u ofron klientëve kredi në këmbim të depozitave në ar pa interes që nga vitet 1980. Izraeli akuzon Hezbollahun se përmes kësaj kompanie fiton para nga civilët libanezë.

SHBA-ja ka sanksionuar prej kohësh këtë kompani, duke e akuzuar Hezbollahun se e përdor atë si një mbulim për të fshehur aktivitetet e tij financiare dhe për të fituar qasje në sistemin financiar ndërkombëtar.

VIDEO