VIDEO: Momenti i arrestimit të Ilir Metës, shihet duke u nxjerrë nga vetura

Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta është arrestuar me urdhër të SPAK. Kreu i PL-së u arrestua pranë Casa Italia-s në kryeqytetin shqiptar.

Mediat shqiptare kanë publikuar momentin kur kreut të PL-së, Ilir Meta i vihen prangat. Ai është arrestuar ditën e sotme me urdhër të SPAK nga agjentët e BKH-së pranë mbikalimit të Kamzës, teksa ka asistuar edhe policia.

Siç shihet në video, fillimisht shoferi i Metës nxirret nga makina, ndërsa me pas arrestohet ish-Presidenti shqiptar.

VIDEO

Lidhur me arrestimin e Ilir Metës ka reaguar edhe Partia e Lirisë.

Tedi Blushi në një prononcim për mediat e u shpreh se Meta u rrëmbye në mes të ditës, ndërsa shton se do të jepet përgjigje shembullore për këtë rast.

“Kjo strukturë kriminale terroriste që guxoi të rrëmbente në mes të ditës ish-presidentin, ish-kryeministrin. Nuk e di ku ndodhet Meta tani dhe kjo tregon gjendje skandaloze. Për aktin e rëndë kriminal de të marrin përgjigjen shembullore”, tha ai.

Në qershor të këtij viti Meta u thirr në Prokurorinë e Posaçme, duke shënuar herën e tretë që mbërrin si deklarues në këtë institucion. Ai dha shpjegime për llogari të hetimit pasuror që po zhvillohet ndaj tij dhe Monika Kryemadhit.

Filtrimi i pasurisë së tyre është pjesë e të njëjtës dosje hetimore me lobimit 700 mijë euro të LSI në SHBA, si edhe kallëzimit për shpenzime të pajustifikuara për ndërhyrje estetike në një klinikë jashtë vendit.

Pasi qëndroi për gati 3 orë e 20 minuta para prokurorëve, Ilir Meta u shfaq në atë kohë para gazetarëve i tensionuar, shumë larg refrenit të tij të dikurshëm të dashurisë e qetësisë.

“Jam pyetur 3 orë kot më kot, për gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprimet e të tjerëve. Jam pyetur në cilësinë e kundërshtarit të këtij narkoshteti dhe narkoregjimi që e mban në këmbë Dum dumani. Në vend të ndalojë gjithë ato PPP që janë rrjedhja më e madhe financiare e këtij vendi, merret me përrallat e laraskave të tij. Tani po iki se kam sipërmarrjen, kam tryezën. Dum dumani këtë do, të mos merremi. Bën tërë ato akte kriminale kundër opozitës për të shpëtuar Edi Ramën”./A2 CNN