Rama: “Vlonjatëve do u sjellim turistë, por më kanë mërzitur me ato çmime”

Në projeksionet e mandatit të ardhshëm që Partia Socialiste synon, Rama tha se qeveria aspiron mbajtjen e samitit të NATO-s në Tiranë.

Me nota humori, Rama tha se “do t’i bindim që s’ka më mirë se Shqipëria dhe do t’i garantojmë që nuk do t’i çojmë në Vlorë për të ngrënë, se nuk po i bëj antireklamë Vlorës”. Këtu Rama gjeti rastin për të tërhequr edhe njëherë vëmendjen me çmimet e larta.

“Do të hapim vitin e ardhshëm edhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Do t’ia sjellim vlonjatëve turistët edhe me avion, që t’ia vënë çmimin e taksisë nga Aeroporti në Vlorë më shumë se çmimi i biletës nga Londra në Vlorë.

Vlonjatët, nuk ke ca i bën. Ne shkojmë përpara, por ata shkojnë edhe më përpara, ndaj ndonjëherë ngelin dhe thonë “ku vajtën”.

Dua të vendosim qershinë mbi tortë në mandatin e katërt dhe dua të kemi në Tiranë Samitin e NATO, kemi venë kandidaturën për vitin 2027 dhe do t’i qepemi dhe do t’i bindim që s’ka më mirë se Shqipëria. Do t’i garantojmë që nuk do t’i çojmë në Vlorë për të ngrënë, se nuk po i bëj antireklamë Vlorës, se gatuajnë shumë mirë, por më kanë mërzitur me ato çmime”-tha Rama.