Vlen: Qeveria e re do të shqyrtojë të gjitha diplomat nga Universiteti i Merkos

Universiteti Ndërkombëtar në Strugë, që lidhet me Ramiz Merkon ka marrë akreditim edhe për Fakultetin e Shkencave Shëndetësore. Vendimin e ka nënshkruar ministri në largim i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Studentët e ardhshëm do të mund të studiojnë shkencat mjekësore në këtë institucion privat të arsimit të lartë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka konstatuar se janë plotësuar kushtet për fillimin e punës në Fakultetin e Shkencave Shëndetësore në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë. Agjencia për Cilësinë e Arsimit të Lartë dhe Bordi i Akreditimit dhanë mendim pozitiv.

Për koalicioni VLEN, ky vendim është skandal. Ata thonë se universiteti i Ramiz Merkos, i cili është në Listën e Zezë amerikane, fitoi edhe një bakshish nga ministri po ashtu i Ramizit, Jeton Shaqiri, Akreditim për Fakultet të Mjekësisë!

VLEN

Ky Universitet, i njohur si ‘Universiteti i Merkos’, që drejtohet nga Armend Kadriovski, është i njohur për ‘prodhimin’ e diplomave të menjëhershme. Ky Universitet ka dhënë diploma brenda natës për më shumë se gjysmën e funksionarëve të BDI-së gjatë viteve, si dhe për shumë anëtarë të familjeve të funksionarëve të cilët më pas janë punësuar në vende të ndryshme pune. Kjo është BDI-ja, këta janë funksionarë që janë në listën e zezë të SHBA-së, për të cilët krimi nuk ka kufij. Për këtë skandal, ministri Jeton Shaqiri duhet të japë llogari para publikut dhe të shpjegojë të gjitha arsyet pse ka akredituar Universitetin e Merkos për Fakultetin e Mjekësisë, duke dëshmuar nëse ky Universitet ka laboratorë të përshtatshëm për studimin e lëndëve të mjekësisë dhe një kornizë të kërkesave akademike. Kjo veprimtari e BDI-së së Ali Ahmetit dhe Ramiz Merkos, tregon faktin se të gjelbrit që u bënë Fronti janë arsyeja kryesore pse truri shqiptar po e lë vendin dhe po punon në Evropë dhe vende të tjera, pse tek ne intelektualët e vërtetë dhe profesionistët po e lënë shtetin, ndërsa shqiptarët po përfaqësohen me injorancë që i varfëron dhe i dëbon nga atdheu. Por, biznesit të BDI-së dhe Ramizit, i cili funksiononte në stilin: merr kartën e BDI-së, blej diplomë nga Ramizi dhe puna është e sigurt, po i vjen fundi sepse qeveria e re do të hetojë të gjitha rastet e shitjes së diplomave dhe funksionimin e universiteteve siç është Universiteti ‘Merko’,” thuhet në reagimin e Vredi-t.