“Transfer bombë” në Maqedoni, Luis Nani vjen në KF Gostivari

Një bombë transferimi vjen nga Maqedonia. Gostivari, ekipi që sezonin e kaluar përfundoi në vendin e nëntë në kampionat, është në fazën përfundimtare të negociatave me legjendarin portugez Nani (37).

Lajmi është publikuar nga portali Makfudbal, i cili shkruan se përfundimi i marrëveshjes kërkon vetëm zgjidhjen e disa detajeve të vogla dhe se Nani është i kënaqur me kushtet financiare. Nani në periudhën e tij të artë, ishte një nga sulmuesit më të mirë në Evropë dhe me fanellën e Manchester United fitoi plot 12 trofe, përfshirë Ligën e Kampionëve në 2008. Sir Alex Ferguson e solli atë në 2007 nga Sporting për 25 milionë euro. Nani luajti tetë vite për ekipin nga Old Trafford, dhe më pas u transferua në Fenerbahçe.

Pas kësaj, ai veshi fanellën e Lazios, Valencias, u kthye në Sportingun e tij, dhe ishte gjithashtu në Amerikë ku luajti për Orlandon. Dy vite më parë ishte anëtar i Venezias, dhe më pas edhe i ekipit australian Melbourne. Angazhimi i tij i fundit ishte në Adana, Turqi. Me fanellën e kombëtares portugeze ai luajti 112 ndeshje dhe shënoi 23 gola. Tetë vite më parë ai ishte kampion i Evropës me Portugalinë. Transfermarkt e vlerëson atë me 200 mijë euro, raporton Index.