Vrasja e 18-vjeçarit nga sulmi brutal – Këta janë dy të dyshuarit që ndodhen në paraburgim

Vdekja e 18-vjeçarit nga Podujeva, Lulzim Fejzullahut, tronditi vendin. I riu që ndërroi jetë të shtunën, përfundoi në QKUK para disa ditësh, pasi u rrah brutalisht nga disa të mitur. Për këtë krim makabër, dy persona tashmë ndodhen nën masën e paraburgimit, teksa po hetohet në zbulimin e rrethanave dhe motivit që çoi deri te ky konflikt që përfundoi tragjikisht.

Sulmi që i mori jetë Lulzimit dyshohet se ndodhi mesditën e 14 janarit, ku për motive akoma të panjohura, në rrugën “Drenica” në Podujevë, dy të dyshuar e sulmuan brutalisht.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Dy të dyshuarit që ndodhen prapa grilave për këtë rast janë E.Kadriu (16-vjeçar) dhe A.Abdullahu (17-vjeçar), ka mësuar Sinjali.