Historia e dhimbshme e çiftit gjakovar, disa vite më parë edhe bashkëshorti i 34-vjeçares vdiq tragjikisht

Artila Kameri ka humbur jetën tragjikisht në orët e para të ditës së sotme, pasi e njëjta dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e katit të dytë në hotelin ‘Venus’, ku po qëndronte bashkë me 32-vjeçarin nga Peja, Asdren Begolli. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit

Mësohet se e ndjera ishte e ve, pasi disa vite më parë edhe bashkëshorti i saj, Arlindi, kishte humbur jetën tragjikisht, duke bërë vetëvrasje.

Nga martesa çifti kanë lënë pas vetes një vajzë të vogël.

Por si ndodhi ngjarja tragjike?

Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, Artila Kameri dhe Asdren Begolli, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.

Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.

Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.

Lidhur me rastin nga Policia thanë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.